SPAK mbyll hetimet për Ballukun, Klodian Braho komunikon dërgimin e çështjes për gjykim: Korrupsion në 9 raste dhe 5 miliardë lekë dëm ndaj shtetit

16/11/2026 13:18

SPAK ka përfunduar hetimet për ish-zëvendëskryeministren dhe ish-ministren e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, dhe ka dorëzuar këtë të hënë në gjykatë kërkesën për gjykim.

Lajmi është bërë i ditur nga kreu i SPAK, Klodian Braho, gjatë një takimi me gazetarët, ku ishte i shoqëruar edhe nga dy prokurorët e çështjes, Dritan Prençi dhe Dorina Bejko. Raporton gazetarja e Top Channel, Anila Hoxha.

“Ju njoftoj për mbylljen e hetimeve për Belinda Ballukun dhe ju bëj me dije se sot çështja do të dërgohet në gjykatë. Vlerësojmë se kjo mënyrë komunikimi i shërben më mirë informimit të publikut”, deklaroi Braho.

Kreu i SPAK bëri të ditur se për hetimin e kësaj çështjeje janë angazhuar dy prokurorë dhe dhjetë hetues, të cilët kanë punuar pa ndërprerje gjatë gjithë periudhës së hetimit.

“Lidhur me këtë çështje penale janë angazhuar dy prokurorë dhe dhjetë hetues, të cilët kanë punuar pa ndërprerje. Përfitoj nga rasti t’i falënderoj të dy prokurorët. Fillimisht, ata do t’ju njohin me një përmbledhje të çështjes”, u shpreh Braho, përpara se t’ia kalonte fjalën prokurorit të çështjes.

Më pas, prokurori Dritan Prençi njoftoi se SPAK po dorëzon kërkesën për gjykim në ngarkim të ish-zëvendëskryeministres dhe ish-ministres së Infrastrukturës, Belinda Balluku, si dhe 25 personave të tjerë dhe dy shoqërive.

“Sot SPAK po dërgon kërkesën për gjykim në ngarkim të ish-zëvendëskryeministres dhe ish-ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, si dhe 25 personave të tjerë dhe dy shoqërive”, bëri me dije Prençi.

Prokurori Prençi bëri të ditur se hetimet, së bashku me prokuroren Dorina Bejko, janë përqendruar në dhjetë procedura, mes të cilave ato për Tunelin e Llogarasë, lotet e Unazës së Madhe dhe procedurën e prokurimit për Albcontrol.

Duke u ndalur te procedura me fond limit rreth 18 miliardë lekë, Prençi deklaroi se e pandehura Belinda Balluku, në cilësinë e ish-ministres, megjithëse kompetencat kishin kaluar te struktura të tjera, kishte vijuar të ndiqte dhe orientonte procedurat.

“Qëllimi ka qenë paracaktimi i kompanisë ‘Intecar SRL’”, deklaroi prokurori, duke iu referuar dyshimeve të ngritura nga hetimi.

Sipas Prençit, anëtarët e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, Gentian Gjylit, Mirzeta Kashnica dhe Evis Berberi, kanë shpallur fituesit, ndërsa e pandehura Viola Haxhiademi, në cilësinë e personit përgjegjës, ka miratuar preventivin me çmime të fryra, në kundërshtim me vendimet përkatëse të Këshillit të Ministrave dhe rregullat për analizat teknike.

“Nga provat e administruara ka rezultuar se fondi limit është përllogaritur gabim me rreth dy miliardë lekë”, u shpreh Prençi.

Ai shtoi se edhe në lidhje me procedurën për projektin janë konstatuar veprime të kundërligjshme, ndërsa sipas hetimeve, Viola Haxhiademi dhe persona të tjerë në BKH kanë vepruar në kundërshtim me preventivin e rishikuar.

“Në këtë kuptim, i është shkaktuar dëm shtetit në shumën rreth 5 miliardë lekë”, deklaroi prokurori Prençi.

Sipas të dhënave të bëra publike në takimin me gazetarët, akuzat ndaj Ballukut përfshijnë korrupsionin në nëntë raste, fshehjen e pasurisë në dy raste dhe pastrimin e parave. Ndërkohë, vlera e pasurive të sekuestruara në kuadër të hetimit arrin në 1.8 milionë euro.

Me dorëzimin e kërkesës për gjykim, çështja tashmë kalon në shqyrtimin e gjykatës, e cila do të vendosë për vijimin e procedurave gjyqësore.

Top Channel