Zelensky-t i humbet durimi: Sanksionet tuaja të dobëta, ne po paguajmë me jetë!

29/03/2022 11:50

Në një akt të ri akuze ndaj perëndimit, fajtor sipas tij se po lëviz shumë ngadalë e me kujdes të tepruar, presidenti ukrainas Volodymir Zelensky postoi gjatë natës një tjetër video-mesazh.

Sanksionet, janë thjesht masa “passive”, ishte komenti i tij. Nuk e kuptoj, tha Zelensky, konceptin e sanksioneve te lëna pezull, në varësi të lëvizjes së trupave ruse.

“Flitet për sanksione të mëtejshme që mund të vendosen në rast se përdoren armë kimike. Pra, po presin që të përdoren këto armë, kjo është logjika? Dhe ne këtu duhet të rrimë e të presim që të përdoren mbi ne! Nuk mjafton ajo që po bën Rusia për të vendosur ndaj tyre një embargo nafte? Nuk mjaftojnë bombat me fosfor? Sepse, nëse sanksionet ruse mund të anashkalohen, atëherë udhëheqja ruse do të mendojë se mund t`i shmangë ato pa problem. Dhe ne ukrainasit, këtë e paguajmë me jetë! “-tha Zelensky.

Komentet e tij vijnë në kohën kur debatet mbi ndalimin e furnizimeve me gaz nga Rusia, janë rindezur sërish. Përfaqësuesit politikë dhe sindikalistë gjermanë janë shprehur sërish kundër një ndalimi të menjëhershëm të importeve ruse të energjisë. Presidenti i sindikatës së industrisë së minierave, kimikateve dhe energjisë ne Gjermani, Michael Vassiliadis, tha së fundi se furnizimi me energji i vendit ndodhet në mes të një transformimi dhe kjo kërkon kohën e vet.

Heqja dorë plotësisht nga furnizimet me gaz nga Rusia, qoftë edhe deri në vitin 2025, është një objektiv ambicioz i politikës, sipas tij, dhe as një ndalim i menjëhershëm i furnizimit nuk është veprim i përgjegjshëm. Edhe me një reduktim prej 50 për qind të importit të gazit rus, zona më e madhe kimike në botë, BASF në Ludwigshafen, për shembull, do të duhej të mbyllej plotësisht, pasi nuk mund të mbahej në punë më në mënyrë të sigurtë, tha Vassiliadi, e qindra mijëra vende pune do të rrezikoheshin.

Top Channel