Brazili sot në zgjedhje presidenciale, sondazhet favorizojnë Flavio Bolsonaron me 51%, kundrejt Lulës me 49%
Një zjarr i fuqishëm ka përfshirë ish-rezidencën malore të Adolf Hitlerit në Bavari të Gjermanisë, të njohur si “Foleja e Shqiponjës”, duke shkaktuar dëme të mëdha në këtë ndërtesë historike.
Policia ka arrestuar një shtetas gjerman 33-vjeçar, i cili dyshohet se mund të ketë lidhje me ngjarjen.
Rreth 200 zjarrfikës u angazhuan mbrëmjen e së premtes për të shuar flakët në ndërtesën Kehlsteinhaus, e vendosur në majën e malit Obersalzberg, në një lartësi prej 1,834 metrash mbi nivelin e detit.
Sipas policisë, alarmi i zjarrit u aktivizua rreth orës 21:15, ndërsa kur ekipet e emergjencës mbërritën në vendngjarje, rreth orës 21:50, ndërtesa ishte përfshirë plotësisht nga flakët. Fatmirësisht, nuk raportohet për persona të lënduar.

Përpjekjet për shuarjen e zjarrit u vështirësuan nga lartësia, era e fortë dhe kushtet e pafavorshme atmosferike, ndërsa shiu u shndërrua në borën e parë të vitit. Flakët vijuan për disa orë gjatë natës, ndërsa tymi vazhdonte të ngrihej nga ndërtesa edhe mëngjesin e së shtunës.
Sipas mediave gjermane, hetuesit dyshojnë se zjarri mund të jetë shkaktuar qëllimisht. I arrestuari, një 33-vjeçar gjerman me lidhje me zonën, por që nuk banonte aty, dyshohet se ka probleme të shëndetit mendor. Pas marrjes në pyetje, ai po dërgohej në një strukturë psikiatrike.
Autoritetet bëjnë të ditur se hetimet vijojnë, përfshirë edhe verifikimin e mundësisë së një motivi politik. Megjithatë, deri tani nuk ka të dhëna që të tregojnë për përfshirjen e personave të tjerë në ngjarje.
“Foleja e Shqiponjës” u ndërtua nga nazistët gjatë viteve 1937-1938 dhe u përurua zyrtarisht nga Hitleri në ditëlindjen e tij, në vitin 1939. Ndërtesa ishte një nga monumentet e pakta të epokës naziste që kishte mbetur e padëmtuar.
Pas Luftës së Dytë Botërore, ajo u kthye në një vend historik që dokumenton periudhën e Rajhut të Tretë. Që prej vitit 1952, aty funksionojnë një ekspozitë mbi historinë naziste dhe një restorant.
Ministri i Brendshëm i Bavarisë, Joachim Herrmann, deklaroi se ndërtesa do të restaurohet pas konsultimeve me autoritetet vendore, historianët dhe ekspertët e konservimit.
“Ne nuk do të lëmë atje një rrënojë”, u shpreh ai, duke theksuar rëndësinë e vazhdimit të punës për përkujtimin e historisë.
Top Channel