Brazili sot në zgjedhje presidenciale, sondazhet favorizojnë Flavio Bolsonaron me 51%, kundrejt Lulës me 49%

25/10/2026 10:23

Brazili voton sot në raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale, në një garë të ngushtë mes kandidatit konservator Flavio Bolsonaro dhe presidentit në largim, Luiz Inácio Lula da Silva.

Dy sondazhe të publikuara të shtunën e nxjerrin Bolsonaron me 51% të mbështetjes, kundrejt 49% për Lulën, ndërsa diferenca mes tyre mbetet brenda kufirit të gabimit statistikor.

Zgjedhjet pritet të përcaktojnë drejtimin politik të ekonomisë më të madhe të Amerikës Latine, në një përballje që ka mobilizuar mbështetësit e të dy kandidatëve.

Lula da Silva, përfaqësues i së majtës, synon të sigurojë një mandat të katërt presidencial, jo të njëpasnjëshëm. Përballë tij është Flavio Bolsonaro, kandidati konservator dhe djali i madh i ish-presidentit të ekstremit të djathtë, Jair Bolsonaro.

Sipas sondazheve të publikuara nga institutet Datafolha dhe Quaest, Flavio Bolsonaro ka 51% të mbështetjes, ndërsa Lula da Silva 49%. Megjithatë, rezultatet nuk tregojnë një epërsi të sigurt për asnjërin kandidat, pasi diferenca prej dy pikësh përqindjeje është brenda marzhit të gabimit statistikor.

Sondazhi i mëparshëm i Datafolha-s, i publikuar të enjten, i paraqiste dy rivalët në barazim, me nga 50% secili.

Në raundin e parë të zgjedhjeve, të zhvilluar tri javë më parë, Flavio Bolsonaro arriti të tejkalonte parashikimet e sondazheve, duke siguruar 47% të votave, kundrejt 45% për Lulën.

Rezultati i raundit të parë e ka bërë garën përfundimtare edhe më të paparashikueshme, ndërsa të dy kandidatët kanë intensifikuar përpjekjet për të fituar mbështetjen e votuesve.

Sondazhi i Datafolha-s u zhvillua gjatë ditëve të fundit, por nuk është e qartë nëse mbledhja e të dhënave vijoi pas debatit televiziv mes dy kandidatëve. Ndërsa sondazhi i Quaest u krye të premten dhe të shtunën, në një periudhë kur të dyja fushatat mobilizuan mijëra mbështetës në rrugët e vendit.

Rezultati përfundimtar do të përcaktojë nëse Brazili do të vazhdojë nën drejtimin e Lulës apo do të kalojë nën udhëheqjen e Flavio Bolsonaros, në një garë që deri në orët e fundit para votimit mbetet e hapur.

Top Channel