Detajet e para nga takimi në Turqi, Rusia: Ukraina të hyjë në BE, por në NATO jo!

29/03/2022 14:35

Mykhailo Podolyak, këshilltari i presidentit ukrainas Volodymir Zelensky në bisedimet e Stambollit, ka dhënë disa detaje nga takimi. Ai tha se ka pasur “konsultime intensive” për një sërë çështjesh, kryesorja nga të cilat ishte marrëveshja për garancitë ndërkombëtare të sigurisë për Ukrainën.

“Vetëm me një pakt të tillë, ne mund t’i japim fund luftës siç i duhet Ukrainës”, u shpreh ai, duke iu referuar qëndrimit të Kievit zyrtar se vendi i tij pajtohet me statusin neutral, por vetëm nëse merr garancitë e sigurisë.

Diskutimet janë fokusuar po kështu edhe tek armëpushimi dhe zgjidhja e të gjithë problemeve humanitare me të cilat po haste aktualisht vendi. Forbes nga ana tjetër shkruan se edhe Rusia është gati për disa lëshime. Kështu, sipas tij, negociatorët rusë janë duke e peshuar një marrëveshje e cila dikton asnjëanësinë e Ukrainës dhe ia ndalon anëtarësimin në NATO, apo mbajtjen e bazave të huaja ushtarake, por nuk e pengon ndërkohë të pretendojë garanci sigurie nha shtete të tjera dhe të synojë anëtarësimin në Bashkimin Europian.

Më herët, presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan u shpreh optimist për rezultatin e këtij raundi të negociatave që zhvillohet në Stamboll për dy ditë e që mund ti hapë rrugën sipas tij një përballjeje mes udhëheqësve të të dy vendeve.

Erdogan: Si anëtarë të delegacioneve ju keni marrë një përgjegjësi historike. E gjithë bota është në pritje të lajmit të mirë që do të vijë nga ju. Turqia është plotësisht e gatshme që të kontribuojë në arritjen e paqes.

Ne radhët e negociatorëve, ishte dhe miliarderi rus, Roman Abramovich, i cili shihet me kufje ne vesh dhe në formë të mirë shëndetësore, në mesin e pretendimeve të një helmimi.

Më tej, ai shpjegoi se i duhet  të largohet nga Turqia për një vizitë në Uzbekistan, por tha se ministri i Jashtëm Mevlut Cavusoglu, do të qëndrojë në Stamboll për të ndihmuar në lehtësimin e bisedimeve. Delegacionet është planifikuar të mbajnë dy ditë bnegociata në një ndërtesë qeveritare ngjitur me pallatin osman të shekullit të 19-të, Dolmabahçe, në brigjet e Bosforit. Bisedimet e mëparshme midis palëve, të mbajtura qoftë personalisht në Bjellorusi ose përmes video lidhjeve, nuk arritën të shënonin përparim në përfundimin e luftës njëmujore, që ka lënë pas vetes mijëra të vrarë e ka detyruar mbi 10 milionë ukrainas të shpërngulen.

Përpara takimit, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskyy, tha se vendi i tij është i gatshëm të deklarojë neutralitetin, siç ka kërkuar Moska, dhe është i hapur për kompromis rreth fatit të Donbasit, rajonit të kontestuar në lindje të vendit.

 

Top Channel