Lufta Ukrainë-Rusi ka hyrë në javën e katërt këtë të enjte, ndërsa bombardimet rreth qyteteve ukrainase vijojnë pa asnjë grimcë shenje paqeje. Dhjetëra viktima janë shënuar nga sulmi në Kharkiv, ndërsa 90% e Mariupolit është shkatërruar. Presidenti amerikan, Joe Biden edhe sot e etiketoi me fjalë të rënda Vladimir Putinin.
22:21 “Je ylli i TikTok!”, Zelensky viziton 16-vjeçaren e plagosur në spital
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky vizitoi në spital një 16-vjeçare të plagosur gjatë sulmeve ruse.Presidenti 44-vjeçar i dorëzoi vajzës një tufë të madhe me lule dhe tha: Nuk është e lehtë, por ne bëjmë gjënë e duhur.Pasi dëgjoi për popullaritetin e tij në platformën e ndarjes së videove, ai pyeti: Pra, ne kemi pushtuar TikTok?
21:23 “Ferr! Pashë të afërmit e mi të vdisnin”, rrëfimi i qytetarit nga Mariupoli i shkatërruar
Një punonjës bamirësie që arriti të shpëtonte nga Mariupoli dje e përshkruar ferr dhe tmerr qytetit port të rrethuar nga rusët. Çminuesi Halo Trust po punonte për të çarmatosur eksplozivët përpara se të detyrohej të lindte vendin. Ai thotë se banorët e moshuar po vdesin në shtëpitë e tyre dhe askush nuk mund t’i ndihmojë për shkak të bombardimeve të vazhdueshme.
20:29 Presidenti i SHBA Biden e quan Putinin diktator vrasës, bandit
Presidenti i SHBA Biden e quan Putinin një “diktator vrasës, bandit”. Pasi e quajti një kriminel lufte, Presidenti i SHBA Joe Biden e ashpërsoi sërish retorikën ndaj homologut të tij rus Vladimit putin duke e quajtur atë bandit dhe diktator. Ndërsa fliste në një ngjarje të Ditës së Shën Patrikut të enjten Biden tha se Putini është një “diktator vrasës, një bandit që po bën një luftë imorale kundër popullit të Ukrainës”.
20:00 Rusia krime lufte në Ukrainë / Shqipëria, SHBA-ja dhe 4 vende të tjera akuzojnë hapur Putinin
Shqipëria së bashku me SHBA, Britaninë e Madhe, Francën, Irlandën dhe Norvegjinë kanë akuzuar Rusinë për krime lufte në Ukrainë, pasi Parisi zyrtar thotë se Vladimir Putin nuk ishte i interesuar realisht të negociojë mbi një marrëveshje paqeje. Gjashtë vendet sfiduan Rusinë përpara një takimi të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, ndërsa sekretarja e jashtme britanike, Liz Truss, tha se tani kishte “prova shumë, shumë të forta” të krimeve të luftës që kryheshin nga forcat ruse.
19:48 Vritet shtetasi amerikan në Chernihiv
Një qytetar amerikan ka humbur jetën nga bombardimet ruse në Chernihiv, thotë policia ukrainase. Departamenti Amerikan i Shtetit konfirmoi lajmin duke i shprehur ngushëllimet familjes. I pyetur për viktimën gjatë një konference, Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken tha se mund të konfirmonte se një shtetas amerikan ishte vrarë, por nuk kishte më shumë detaje. Një deklaratë e policisë ukrainase tha se vdekjet ishin rezultat i zjarrit të artilerisë ruse në qytet.
19:00 “Kjo nuk është fëmijëri”
Të vegjëlve në Ukrainë po u mohohet fëmijëria e tyre, thotë një përfaqësues nga agjencia e OKB-së për fëmijë UNICEF. Joe English, i cili ndodhet në qytetin perëndimor të Ukrainës, Lviv, i thotë BBC-së se UNICEF ka verifikuar vdekjen e 50 fëmijëve që nga pushtimi i Rusisë. Më herët, autoritetet ukrainase thanë se të paktën 107 fëmijë ishin vrarë. Me fëmijët që luajnë në një park në Lviv, English thotë se duket sikur “kjo mund të jetë çdo skenë në Evropë apo gjetkë në botë”.
18:37 Rreth 30 mijë ukrainas janë larguar nga Mariupol/ Në makina shkruhet “fëmijë” në rusisht
Autoritetet në Mariupol thonë se rreth 30,000 ukrainas janë larguar nga qyteti deri më tani, sipas Reuters. Sipas tyre, 350,000 janë ende të strehuar në qytet, i cili është rrethuar nga forcat ruse dhe është përballur me shpërthime të mëdha. Reuters raporton radhë të gjata makinash që shkojnë në veri nga Mariupol, disa me shenja në xhamin e përparmë me fjalën “fëmijë” të shkruar në rusisht si sinjal që rusët të mos sulmojnë.
18:30 Sulm ndaj civilëve në Kharkiv, 21 viktima!
21 viktima janë shënuar nga një sulm në rajonin e Merefa, 25 km në veri të qytetit të Kharkiv. Sulmi i cili ndodhi pasditen e së enjtes, shkatërroi një shkollë, duke lënë pas edhe shumë të plagosur rëndë.
18:23 Aksidentohet autobusi që transportonte refugjatët ukrainas
Një autobus me 53 gra dhe fëmijë që po largoheshin nga lufta në Ukrainë është përmbysur pranë qytetit të Pasvalys në Lituani. Ata po udhëtonin nga kufiri Polako-Ukrainë në Finlandë kur shoferi humbi kontrollin rreth orës 06:00 me orën lokale (08:00 GMT), sipas kanalit televiziv kombëtar lituanez LRT. Ai tha se të paktën 10 persona, përfshirë fëmijë, u plagosën dhe u dërguan në spitalet pranë. Pasagjerët e mbetur u dërguan në qendrën kulturore Salociai.
18:18 “Ti e nise luftën, vetëm ti mund ta ndalosh”, Arnold Schwarzenegger i bën thirrje Putinit
Aktori i famshëm Arnold Schwarzenegger i bëri thirrje presidentit rus Vladimir Putin që të ndalojë luftën në Ukrainë. Sipas tij, presidenti rus dhe populli rus duhet që të hedhin dritë mbi ‘të vërtetën’ për pushtimin në Ukrainë, duke e përshkruar atë si një ‘katastrofë humanitare’. Në një video të shpërndarë për ndjekësit e tij në Instagram dhe në faqen e kompanisë mediatike ATTN në Facebook, aktori 74-vjeçar austro-amerikan ndau dashurinë e tij për Rusinë dhe popullin rus përpara se t’i bënte komente të ashpra Putinit dhe Kremlinit.
18:00 53 civilë të vrarë në vetëm një ditë në Chernihiv
Rreth 53 civilë raportohet se janë vrarë nga forcat ruse në qytetin verior të Ukrainës, Chernihiv, të mërkurën, sipas guvernatorit, Vyacheslav Chaus. Chaus tha se autoritetet lokale po punonin për të rivendosur furnizimin me energji, ujë dhe gaz në pjesë të qytetit, pavarësisht bombardimeve të vazhdueshme. Guvernatori njoftoi gjithashtu një raund tjetër bisedimesh me trupat ruse për të organizuar një korridor humanitar për evakuimin e civilëve nga qyteti.
17:59 Ukraina: Nuk ka paqe pa armëpushim/ Turqia: Takim Zelensky-Putin së shpejti
Një marrëveshje paqeje është vënë në tryezën e negociatave të Rusisë-Ukrainë, por ecuria e saj varet në faktin nëse Kremlini do të pranojë një armëpushim, thotë ministria e mbrojtjes së Ukrainës.
Oleksii Reznikov, i cili udhëheq delegacionin ukrainas tha se puna po vazhdon, por Rusia duhet të ndale bombardimet në mënyrë që të ketë kompromis.
17:30 90% e Mariupolit e shkatërruar
Autoritetet në qytetin lindor të rrethuar të Mariupolit thanë se deri në 90% të ndërtesave në qytet janë shkatërruar nga forcat ruse në bombardimet e tyre të përditshme të qytetit. Lesia Vasylenko, një deputete ukrainase, shkroi në Tëitter se qyteti po “shkatërrohet nga qielli” dhe përsëriti thirrjen e Presidentit Volodymyr Zelensky drejtuar vendeve perëndimore për të vendosur një zonë të ndaluar fluturimi mbi vend.
17:00 Sa kanë avancuar rusët në Ukrainë?
Përparimet ruse në të gjithë Ukrainën janë ngadalësuar ditët e fundit mes viktimave në rritje, por përpjekjet për të rrethuar dhe ndërprerë kryeqytetin Kiev vijojnë ende. Forcat ruse po përpiqen të rrethojnë dhe ndërpresin kryeqytetin, por zona të mëdha përreth qytetit mbeten nën kontrollin e Ukrainës, veçanërisht në jug. Gjeneralët ukrainas në qytet thonë se janë të fokusuar në mbajtjen e artilerisë ruse jashtë rrezes së qendrës së qytetit.
16:40 Familja mbretërore e Belgjikës do të presë refugjatët ukrainas
Mbreti Philippe dhe Mbretëresha Mathilde e Belgjikës kanë vendosur të presin refugjatë ukrainas. Pallati Mbretëror Belg ka konfirmuar për BBC se dy shtëpi në pronësi të Royal Trust të Belgjikës do të vihen në dispozicion për tre familje ukrainase. Njëra prej shtëpive ndodhet në Bruksel dhe tjetra është në rajonin jugor të Wallonisë. Një zëdhënës i Pallatit Mbretëror i tha BBC-së se Mbreti Philippe ishte prekur nga dëshmitë e ukrainasve, kryesisht gra dhe fëmijë, ndërsa vizitoi një qendër regjistrimi në Bruksel të mërkurën. Vendimi për të pritur u njoftua menjëherë pas vizitës. Kjo nuk është hera e parë që familja mbretërore e Belgjikës solidarizohet me personat në nevojë.
16:00 Agjencia Evropiane e Hapësirës pezullon projektin e përbashkët të Rusisë në Mars
Agjencia Evropiane e Hapësirës (ESA) ka pezulluar një program të Marsit për të cilin po punonte në bashkëpunim me agjencinë ruse të hapësirës “Roscosmos”. Në një deklaratë të postuar në faqen e saj të internetit, Esa tha se do të ishte e pamundur të vazhdonte bashkëpunimin me Roscosmos në misionin e saj rover ExoMars, i cili synon të kryejë kërkime të mëtejshme në sipërfaqen e Marsit. Ai tha se këshilli qeverisës i Esa-s e kishte marrë vendimin unanimisht në përgjigje të situatës në Ukrainë.
15:03 Mbi 187 mijë refugjatë ukrainas kanë mbërritur në Gjermani
Më shumë se 187 mijë qytetarë që ikin nga lufta në Ukrainë kanë mbërritur në Gjermani, sipas Ministrisë së Brendshme gjermane. Deri ditën e enjte, 187 mijë e 428 refugjatë ishin regjistruar nga policia gjermane, por numri aktual i refugjatëve që vijnë mund të jetë dukshëm më i lartë për shkak të mungesës së kontrolleve kufitare mes Polonisë dhe Gjermanisë, tha një zëdhënës i ministrisë së brendshme për CNN. Shumica e refugjatëve që mbërrijnë në Gjermani janë gra, fëmijë dhe të moshuar.
14:29 Paralajmërohet se lufta në Ukrainë mund të godasë rritjen ekonomike
Lufta në Ukrainë mund të ngadalësojë rritjen ekonomike globale për më shumë se një pikë përqindjeje, në vitin e parë të pushtimit. Sipas raportit më të ri të Organizatës për Zhvillim Ekonomik, lufta mund të shkaktojë “recesion të thellë” në Rusi. Ndonëse Rusia dhe Ukraina përbëjnë përqindje të vogël në ekonominë globale, ato janë prodhuese të mëdha të lëndëve të para. Sipas kësaj Organizate, konflikti mund të ndikojë në rritje globale të çmimeve për gati 2.5 për qind.
14:23 Truss: Prova të fuqishme se Putin është “kriminel lufte”
Sekretarja e Jashtme britanike, Liz Truss, ka thënë se “ekzistojnë prova të fuqishme” se presidenti rus, Vladimir Putin është “kriminel lufte”. Presidenti amerikan, Joe Biden, e ka përshkruar liderin rus si të tillë, deklaratë që mund të përshkallëzojë marrëdhëniet diplomatike edhe më shumë. Truss ka thënë për transmetuesin britanik, BBC se nuk mendon që është gabim deklarata e Bidenit. “Ka prova shumë, shumë të fuqishme se ai është”, ka thënë Truss.
13:59 Rusia mohon akuzat se ka bombarduar Konsullatën e Nderit të Shqipërisë në Kharkiv
Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova ka mohuar akuzat e Ministrisë së Jashtme të Shqipërisë; se Rusia është përgjegjëse për bombardimin e konsullatës së nderit të Shqipërisë në Kharkiv. “Rusia hedh poshtë me forcë akuzat e Ministrisë së Jashtme shqiptare se forcat e armatosura ruse dyshohet se kanë dëmtuar ndërtesën e konsullatës së nderit të vendit në Kharkiv”, tha zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme Ruse. Forcat ushtarake ruse, më 7 mars, u akuzuan nga Ministria e Jashtme e Shqipërisë si përgjegjëse për bombardimin e Konsullatës së Nderit të Shqipërisë në Kharkiv.
Presidenti i SHBA-ve, Joe Biden, do të flasë me homologun e tij kinez Xi Jinping, pas dyshimeve se Kina mund të jetë e përfshirë drejtpërdrejtë në ndihmën e dhënë për Rusinë gjatë agresionin që kjo e fundit po zhvillohet në Ukrainë. Lajmi është bërë i ditur nga zyra e shtypit pranë Shtëpisë së Bardhë, ku objekt i takimit virtual, zyrtarisht, është çështja e Ukrainës dhe problematika të tjera shqetësimi të përbashkët për dy vendet. Kina e ka mohuar përfshirjen e saj në ndihmë ekonomike apo ushtarake për Rusinë, që prej fillimit të agresionit më 24 shkurt.
13:36 NATO armatoset “deri në dhëmbë”: Askush nuk prek anëtarët tanë
Tre herë e goditi Jens Stoltenberg tryezën me cekic duke kërkuar që pjesëmarrësit të përqendrohen. Tensioni është i lartë këto mbi sekretarin e përgjithshëm të aleancës, e mbi të gjithë organizatën,të cilën lufta në Ukrainë e ka vendosur përballë presionesh të mëdha. Aleanca duhet të mendojë veprimet në perspektivën afatgjatë, duke përfshirë dhe rritjen e kapaciteteve të armatimit në tokë, në det dhe në ajër. Në takimin e ministrave të mbrojtjes të vendeve anëtarë, Stoltenberg e pohoi se invazioni brutal” ndaj Ukrainës do të ndryshojë sigurinë në Europë, dhe se pasojat e luftës ruse, do të shtrihen në kohë. Në këto kushte, u ngritën pyetje: Sa trupa duhet të dislokohen dhe ku?
13:26 Balerina e parë e Bolshoit “arratiset” nga Rusia: Sot, ndiej turp për vendin tim
Një nga yjet e Teatrit Bolshoi të Moskës, balerina Olga Smirnova, është larguar nga kompania për shkak të pushtimit rus të Ukrainës dhe në vend të kësaj do të kërcejë për Baletin Kombëtar Holandez në Amsterdam. Lëvizja e saj erdhi pak kohë pasi Smirnova e lindur në Shën Peterburg e denoncoi ashpër sulmin ndaj vendit fqinj, duken thënë se “kje e mbushi kupën”. Baleti Kombëtar Holandez deklaroi se ylli rus është i “mirëpritur me krahë hapur në radhët e tij.
13:18 Zelensky i tregon Putin vijat e kuqe: “Asnjë cm tokë s`lëshojmë”, fjalimi në Budestag
Volodymyr Zelensky e fshikulloi planin 15 pikësh të Rusisë, dhe insistoi se prioriteti i vendit të tij është “rikthimi i integritetit territorial të vendit të vet”. Kremlini hartoi një draft marrëveshje ku liston kërkesat e tij për ti dhënë fund pushtimit, ndër të cilat, ashtu siç paralajmëronte me herët, përfshihej dhe njohja e Krimesë së aneksuar nga Moska dhe pavarësia e Donbasit. Por Zelensky duket nuk pajtohet me të gjithë propozimet pavarësisht faktit që forcat ruse vazhdojnë bombardimin e qyteteve ukrainase, duke mbjellë kudo kaos e shkatërrim.
13:08 Putinin “nuk e mbajnë më nervat”, kërcënon të vetët: Do i shtypim tradhëtarët
“Tradhtarë të kombit dhe llum”, Vladimir Putin duket e ka humbur qetësinë dhe gjakftohtësinë që e karakterizonte prej kohësh, e në deklaratën e fundit, përdori tone mjaft të ashpra ndaj vetë rusëve që sipas tij, bashkëpunojnë në fshehtësi me Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre. I përballur me një ngërç masiv ekonomik që në javën e tretë të pushtimit në Ukrainë, lideri rus iu kthye ashpër kritikëve të brendshëm, ndërsa akuzoi perëndimin se kërkon shkatërrimin e Rusisë dhe se po përpiqet të mbështetet pikërisht tek ata që i quajti “kolonë e pestë”, apo simpatizantëve të armikut.
13:03 ”Këtu ka fëmijë”, shkrimi në teatrin e bombarduar-Kremlini i tërbuar me Biden
“Këtu ka fëmijë”: pamjet satelitore treguan sesi pranë Teatrit të bombarduar në Mariupol një ditë më parë, ku strehoheshin qindra civilë, përfshirë dhe fëmijë, kishte dy shkrime të mëdha në tokë, që duhet të shërbenin si paralajmërim për forcat ruse. Fjala “fëmijë” ishte shkruar me gërma të mëdha të bardha në rusisht përpara dhe pas ndërtesës ku mendohet të ndodheshin rreth 1.200 civilë, në një përpjekje të dukshme për të shmangur çdo sulm nga forcat e Vladimir Putinit.
12:56 Rusia, krime lufte: Urgjent Këshilli i Sigurimit! Shqipëria “nuk e lë të qetë” Moskën
Gjashtë vende perëndimore bënë thirrje për një takim të Këshillit të Sigurimit të OKB-së për Ukrainën përpara një votimi të pritshëm të premten mbi një rezolutë humanitare ruse, e cila nuk përmend përgjegjësinë e saj për luftën kundër fqinjit të saj më të vogël. “Rusia po kryen krime lufte dhe po vë në shënjestër civilët. Lufta e paligjshme e Rusisë ndaj Ukrainës është një kërcënim për të gjithë ne”, shkroi në Twitter përfaqësuesi i Britanisë në OKB, një nga vendet që kërkuan takimin.
12:46 SHBA nis dronë kamikazë në Ukrainë: Vetëm 3 kg e mbahen në çantë, rusët nuk i ndalin dot
Droni Switchblade peshon vetëm rreth 3 kilogramë dhe mund të transportohet lehtësisht me një çantë shpine. Sipas disa burimeve, arma më e re vdekjeprurëse e amerikanëve tashmë, ka mbërritur në duart e ukrainasve. Droni kamikaz, apo siç e quajnë ndryshe, plumbi i vogël, mund të qëndrojë në ajër për 40 minuta: ai orientohet në goditjen e objektivit deri në një distancë prej 11 kilometrash. Ka një kosto relativisht të ulët – rreth 6,000 dollarë – në krahasim me sistemet e tjera.
11:57 Deputeti ukrainas: Shumica e njerëzve i kanë mbijetuar sulmit në teatrin e Mariupol
Më shumë se 1,000 gra dhe fëmijë kanë qenë duke u strehuar në teatrin e bombarduar në Mariupol, ka thënë deputeti ukrainas, Dmytro Gurin. Teatri është sulmuar nga rusët dhe numri i viktimave nuk dihet ende. Gurin, prindërit e të cilit janë të bllokuar në qytet, ka thënë për transmetuesin britanik, BBC: Ndërtesa e teatrit është e shkatërruar, ne kemi më shumë se 1,000 gra dhe fëmijë të strehuar në bodrumin e teatrit.
11:51 Zelensky, Scholzit: Rrëzojeni murin që po krijon Rusia
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka bërë një fjalim emocional para Parlamentit gjerman të enjten, duke bërë thirrje për “rrëzim” të murit që Rusia është duke ndërtuar për të ndarë Evropën, përmes pushtimit të Ukrainës. “Nuk është Mur i Berlinit – është mur në Evropën Qendrore, në mes të lirisë, dhe ky mur po rritet me çdo bombë” të rrëzuar në shtetin tonë, ka thënë Zelensky para deputetëve gjermanë më 17 mars. “Zoti Scholz, rrëzojeni këtë mur”, ka thënë ai, duke iu referuar kancelarit gjerman, Olaf Scholz.
11:38 Rusët nuk do të mbrohen më nga Konventa Evropiane e të Drejtave të Njeriut
Përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian për Politikat e Jashtme, Josep Borrell është shprehur se Rusia me sulmin e pajustifikuar kundrejt Ukrainës, si anëtare e Këshillit të Evropës, shkeli principet themelore të statutit të KiE-së, konventave të Organizatës së Kombeve të Bashkuara dhe ligjit ndërkombëtar. “Na vjen keq që Rusia nuk e ndali sulmin në Ukrainë. Qytetarët e saj, nuk do të mbrohen më nga Konventa Evropiane e të Drejtave të Njeriut”, citohet nga deklarata. Pavarësisht një keqardhjeje se Federata ruse nuk ia arriti të pushojë sulmin në Ukrainë, masa ndaj qytetarëve rusë është tej mase ndëshkuese.
10:05 Rreth dy milionë njerëz kanë ikur nga Ukraina në Poloni
Mbi 1.95 milion njerëz kanë ikur prej Ukrainës në Poloni prej shpërthimit të luftës, ka thënë Agjencia kufitare e Polonisë të enjten. Më shumë se gjysmë milioni njerëz tashmë larguar nga Polonia drejt destinacioneve tjera, sipas hulumtuesit për migrim në Universitetin e Varshavës, Maciej Duszczyk. Vetëm të mërkurën, 60,000 persona kanë kaluar kufirin, ka thënë Garda Kufitare. Shumica e refugjatëve kanë shkuar në qytete të mëdha, përfshirë Varshavën, Krakovin dhe Vrocllavin, kapacitetet e të cilave janë të mbushura.
09:53 “Trupat ukrainase të dorëzojnë armët”, video e rreme e Volodymyr Zelensky bën xhiron e rrjetit
Në rrjete sociale ka qarkulluar një video e presidentit Volodymyr Zelensky që i bën thirrje trupave ukrainase të dorëzojnë armët, por në fakt është e rreme. Edhe pse buzët e tij lëvizin në sinkron me audion, koka e Zelensky duket se nuk është si gjithmonë dhe zëri nuk tingëllon si i tij. Një fotografi nga video e rreme u shfaq në faqen e internetit të kanalit televiziv ukrainas Ukrayina 24 dhe teksti i mesazhit u transmetua gjithashtu shkurtimisht në TV.
09:12 OKB: Më shumë se 3 milionë refugjatë janë larguar nga Ukraina
Sipas vlerësimeve të OKB-së , më shumë se tre milionë njerëz janë larguar nga Ukraina që nga pushtimi i Rusisë më 24 shkurt. Shumica kanë kërkuar strehim në Poloninë fqinje, duke mbërritur në kufi me tren ose autobus.
08:56 Ministri polak dënon Putinin si ‘kriminel lufte’
Zëvendësministri i Jashtëm polak, Marcin Przydacz, tha se bombardimi i teatrit në Mariupol është një tjetër shenjë se forcat e Vladimir Putin po përdorin taktika më brutale. Przydacz tha për BBC se pajtohet me karakterizimin e presidentit amerikan Joe Biden për liderin rus si “kriminel lufte”.
08:53 Putin i cilëson “tradhtarë kombëtarë” rusët që janë pro Perëndimit
Presidenti rus Vladimir Putin i cilësoi “tradhtar kombëtarë” të gjithë rusët që janë pro Perëndimit. “Perëndimi do të përpiqet të mbështetet në të ashtuquajturën kolonë të pestë, tek tradhtarët kombëtarë, tek ata që fitojnë para këtu me ne, por jetojnë atje. Dhe kur them ‘jetojnë atje’, nuk e kam për kuptimin gjeografik të fjalës, por sipas mendimeve të tyre, ndërgjegjes së tyre skllavërore”, tha Putin.
08:30 Raketat ruse godasin pallatin në Kiev, një i vdekur dhe 3 të plagosur
Një person humbi jetën dhe tre të tjerë u plagosën nga raketa që goditi një ndërtesë banimi në Kiev të enjten. Shërbimi i emergjencës shtetërore të Ukrainës mori njoftim për një zjarr dhe dëmtim të një apartamenti 16-katësh në lagjen Darnytsky të kryeqytetit në orën 5:02 të mëngjesit me orën lokale. Pak më vonë u shua zjarri. Mediat e huaja bëjnë me dije se deri tani janë evakuuar 30 persona ndërsa vijojnë operacionet e shpëtimit.
08:19 Britania: Pushtimi rus “ka ngecur në të gjitha frontet”
Ofensiva e Rusisë në Ukrainë “ka ngecur në të gjitha frontet” ka thënë Ministria e Mbrojtjes në Britani të Madhe, më 17 mars. Në vlerësimin e saj është thënë se forcat ruse “kanë bërë përparim minimal në tokë, det apo ajër në ditët e fundit dhe se vazhdojnë të përballen me humbje të mëdha”. “Rezistenca ukrainase vazhdon të mbetet e koordinuar mirë. Pjesa më e madhe e territorit ukrainas, përfshirë qytetet e mëdha, vazhdojnë të jenë në duart e ukrainasve”.
Çfarë ka ndodhur së fundmi në Ukrainë
Dje, sulmet me raketa ruse goditën një teatër në qytet ku mendohej se ishin strehuar mbi 1000 njerëz, sipas nënkryetarit të bashkisë së qytetit.
Presidenti ukrainas Volodomyr Zelensky akuzoi Rusinë se synon qëllimisht teatrin. Rusia ka mohuar se e ka bombarduar atë.
Në kryeqytetin Kiev, një person ka vdekur dhe tre të tjerë janë plagosur pasi një pallat u godit nga mbetjet e një rakete të rrëzuar. Punonjësit e shpëtimit janë duke kërkuar për njerëzit që mund të jenë të bllokuar nën rrënoja, thotë Shërbimi Shtetëror i Emergjencave të Ukrainës
Në Chernihiv, 13 persona që prisnin në radhë për bukë u raportuan të vrarë nga bombardimet ruse
Në frontin diplomatik, marrëdhëniet midis SHBA-së dhe Rusisë u përkeqësuan pasi presidenti amerikan Joe Biden e quajti presidentin rus Vladimir Putin një “kriminel lufte”. Kremlini i cilësoi komentet e Biden si “retorikë të papranueshme dhe të pafalshme”
Zelensky foli në Kongresin e SHBA në të cilën ai bëri thirrje për më shumë mbështetje perëndimore
SHBA premtoi një shtesë prej 1 miliard dollarësh (764 milion £) në armë për Ukrainën – duke përfshirë drone taktike, raketa dhe granatahedhës, pushkë, mitralozë, parzmore dhe municione.
Analiza nga ekspertët ushtarakë, përfshirë ministrinë e mbrojtjes së Mbretërisë së Bashkuar, thotë se pushtimi rus ka “ngecur në të gjitha frontet”
Top Channel