SHBA nis dronë kamikazë në Ukrainë: Vetëm 3 kg e mbahen në çantë, rusët nuk i ndalin dot

17/03/2022 12:46

Droni Switchblade peshon vetëm rreth 3 kilogramë dhe mund të transportohet lehtësisht me një çantë shpine. Sipas disa burimeve, arma më e re vdekjeprurëse e amerikanëve tashmë, ka mbërritur në duart e ukrainasve.

Droni kamikaz, apo siç e quajnë ndryshe, plumbi i vogël, mund të qëndrojë në ajër për 40 minuta: ai orientohet në goditjen e objektivit deri në një distancë prej 11 kilometrash. Ka një kosto relativisht të ulët – rreth 6,000 dollarë – në krahasim me sistemet e tjera.

Është i përshtatshëm edhe për përdorim nga njësitë e vogla ushtarake vendase, ato që këto ditë po ngadalësojnë me sukses përparimin e forcave ruse me prita, sulme të rrufeshme e aksione prapa linjave të armikut.

Ushtari që e përdor, mund të ndjekë lëvizjet e kundërshtarit deri sa të gjejë vetë një pozicion të mbrojtur nga zjarri, dhe më pas nis dronin.

Mini-avioni pa pilot transmeton imazhe të zonës, më pas aktivizohet për të goditur shënjestren: një automjet të lehtë, një mitraloz ose një sistem antitank.

Arma u zhvillua në bazë të një kërkese specifike të njësisë speciale që donte të kishte një aparat të aftë për t’u përballur me pritat e formacioneve guerile, siç ishin talebanët në Afganistan.

Ishte rrjeti NBC ai që zbuloi furnizimin e mundshëm në Ukrainë. Shtëpia e Bardhë vendosi një ditë më parë të ndajë edhe 800 milionë dollarë të tjera për këtë vend.

Top Channel