”Këtu ka fëmijë”, shkrimi në teatrin e bombarduar-Kremlini i tërbuar me Biden

17/03/2022 13:03

“Këtu ka fëmijë”: pamjet satelitore treguan sesi pranë Teatrit të bombarduar në Mariupol një ditë më parë, ku strehoheshin qindra civilë, përfshirë dhe fëmijë, kishte dy shkrime të mëdha në tokë, që duhet të shërbenin si paralajmërim për forcat ruse.

Fjala “fëmijë” ishte shkruar me gërma të mëdha të bardha në rusisht përpara dhe pas ndërtesës ku mendohet të ndodheshin rreth 1.200 civilë, në një përpjekje të dukshme për të shmangur çdo sulm nga forcat e Vladimir Putinit.

E megjithatë, ndërtesa e teatrit që strehonte vec të tjerash edhe fëmijë të sëmurë dhe gra, sërish u bombardua. Një gjest ky që u dënua menjëherë nga komuniteti ndërkombëtar, ndërsa presidenti Joe Biden për herë të parë e etiketoi Putinin si “kriminel lufte”,  deklarata më e ashpër kjo lidhur me  veprimet e Presidentit rus e bere  nga një zyrtar amerikan, që nga nisja e sulmit ndaj Ukrainës.

Kjo e tërboi Kremlinin. Zëdhënësi i tij, Dmitry Peskov e cilësoi një “ retorike të papranueshme e të pafalshme”. Por deklarata e Bidenit u mbështet menjehere nga zëvendësministri i Jashtëm polak, Marcin Przydacz, i cili tha për BBC se Putin e meriton plotësisht një përcaktim të tillë.

Sipas mendimit tim, plani fillestar ka qenë për të shkatërruar infrastrukturën ushtarake”, ka thënë Przydacz.

Kremlini besonte se Qeveria e Ukrainës disi do të avullohet. Nuk ka ndodhur kështu. Ukrainasit janë shumë të guximshëm në mbrojtjen e tokës dhe vlerave të tyre, demokracisë së tyre, shtetit që e kanë ndërtuar në 30 vjetët e fundit. Tani Putin ka vendosur të godasë infrastrukturën civile”, u shpreh ai.

Zyrtari i lartë polak shtoi se nëse as shkrimi në tokë që i tregonte trupave ruse se në atë vend ka fëmijë, nuk i ka ndaluar bombardimet, atëherë “Putini është saktësisht ashtu sic e percaktoi presidenti Biden, një kriminel lufte”, u shpreh ai.

Top Channel