Futbolli shpeshherë ka qenë prè e nxitjes së dhunës dhe ngjarjeve të shëmtuara nga tribuna VIP, e në mënyrë specifike nga njerëz me pushtet politik.

Nuk mund të harrohen gjestet e ndryshme dhe të shëmtuara të ish-deputetit të Partisë Demokratike, Dashnor Sulaj, i cili pas skenave të turpshme, ndryshe nga protagonistët e tjerë pati kurajon të kërkojë falje publike.

“Sigurisht nuk japim imazh të mirë, këtë duhet ta pranojmë publikisht. Premtoj dhe të jeni të sigurtë që reagimet e mëtejshme do të jenë shumë herë më pozitive sesa ky rast”, shprehej Dashnor Sulaj, ish-deputet i PD-së, më 15 shkurt të vitit 2010.

Të ardhur në futboll si mbështetës të këtij sporti, kryetarët e bashkive kanë qenë gjithashtu shpesh protagonistë të dhunës, duke arritur të godasin madje edhe trajnerë. I tillë është rasti kur Nevil Dede, ish-trajner i Tiranës, u godit nga kryetari i Bashkisë së Kavajës, Elvis Rroshi.

“Në atë moment po hyja tunelin për në dhomat e zhveshjes. Aty u ndesha me një grup prej 10-12 vetësh. I pari erdhi kryetari i bashkisë dhe më goditi”, shprehej Nevil Dede gjatë një lidhjeje telefonike për Top Channel.

Ngjarja e ndodhur rreth 5 vite më parë përfundoi deri me kallëzime penale e shoqërime në polici.

“Protagonistë kryesorë te dhuna e çdo gjë që ndodh në futboll, ndodhin nga drejtuesit kryesorë të këtyre klubeve”, shprehej Sulejman Mema, përfaqësues i Shoqatës Rajonale Tiranë.

Një ngjarje e tillë e turpshme ka qenë edhe goditja e Shpëtim Duros, 7 vite më parë kur ai mbante postin e trajnerit të Besës së Kavajës. Atëherë, ai u godit nga kryetari i Bashkisë së Peqinit, Ilir Rrushi.

“Në tunelin që të çon në dhomat e zhveshjes po priste. Unë nuk e njihja që ishte kryebashkiaku. Më doli përballë e më goditi me grushte. Kam rënë në tokë pa ndjenja”, theksonte asokohe Shpëtim Duro.

Edhe Shpëtim Gjika, dikur president i skuadrës së Flamurtarit, rezulton mes listës së politikanëve që kanë demostruar në sport, prepotencën e imunitetit prej politikani, duke kontestuar me një parakalim të çuditshëm në fushë vendimet e gjyqtarit Cjapi, në ndeshjen mes Flamurtarit dhe Besës.

Goditja e një arbitri tjetër futbolli daton 10 vite më parë, kur deputeti Hajrulla Paturi mori përsipër dhunën e shfaqur në pamjet amatore.

“E vërteta në dritë të diellit është se gjyqtarin e kam goditur unë dhe nuk është goditur nga asnjë futbollist tjetër”, do të shprehej ish-deputeti i PD-së.

Ndërkohë, ngjarja më e fundit është ajo e pak ditëve më parë, kur deputeti i Partisë Socialiste, Erion Braçe goditi me çakmak gjyqtarin e ndeshjes Partizani Skënderbeu, sipas vet dëshmisë së arbitrit dhe Shoqatës së Arbitrave pranë FSHF-së.

“Kur po i drejtoheshim dhomave të zhveshjes, në pjesën e tunelit, edhe pse isha i rrethuar nga forcat e sigurisë në atë moment, pashë një objekt, që më pas m’u tha se ishte një çakmak a diçka e tillë. Më komunikohet nga asistentët e mi dhe identifikohet me emrin e zotërisë në fjalë”, u shpreh në intervistën për Top Channel, arbitri Andi Koçi.

Top Channel