Monako, tapeti i kuq i UEFA-s, aty ku pritet të shohësh vetëm kostume të shtrenjta dhe këpucë llustrafin.
Por mbrëmjen e djeshme, mes shortit dhe elitës së futbollit evropian, vëmendjen në rrjetet sociale e mori një detaj tjetër: atletet e bardha të Armand Dukës. Presidenti i FSHF-së u shfaq me një kostum serioz dhe kravatë, por i kombinuar me një palë atlete sportive, duke u dukur sikur sapo kishte zbritur nga avioni dhe po nxitonte të mos humbiste eventin.

Ky “faull” estetik nuk mund t’i shpëtonte syrit të Ermal Mamaqit. Në rolin e policisë së modës, aktori komentoi në Instagram: “Z. President, nuk jam i sigurt për këpucët… sikur nuk shkojnë me kostumin.”
Në vend që ta injoronte komentin apo të justifikohej se ky është “trendi i ri në Evropë”, Duka e kaloi situatën duke pranuar “humbjen” me një batutë: “Hahah, kështu ishte kur e bëj vetë valixhen!”

Misteri i modës u zgjidh shpejt. Nuk kishim të bënim me ndonjë zgjedhje ekstravagante, por thjesht me dramën klasike të burrave kur bëjnë gati valixhen për udhëtim. Kostumi hekuroset, këmisha paloset me kujdes, por kur vjen puna te këpucët zyrtare… me sa duket ato kishin mbetur të sigurta në dollapin e shtëpisë në Tiranë.
Në fund, Ermali e bëri detyrën ndërsa Duka tregoi se përpara një valixheje të papërgatitur, edhe eventet VIP të UEFA-s dalin jashtë parashikimeve. Të paktën, ishte komod!
Top Channel