Goli i dytë në dy ndeshje për ish-mesfushorin e Interit i dhuron pikët e plota bardhekaltërve.

Është Lazio skuadra që feston në sfidën kundër Genoas, e vlefshme për javën e 2-të të Serie A, falë një tjetër rrjete të Davide Frattesit, ashtu siç ndodhi të hënën e kaluar në Bologna.

Në “Stadio Olimpico” u përballën në stol dy Kampionë Bote me Italinë në vitin 2006: Gennaro Gattuso dhe Daniele De Rossi. Ishte ish-legjenda e Milanit ai që festoi i pari që në minutën e 25-të, kur Frattesi kaloi në avantazh vendasit. Ish-lojtari i Interit goditi në mënyrë perfekte fluturimthi nga qendra e zonës një krosim të Tavares, duke shënuar kështu golin e tij të dytë si lazial në po kaq javë kampionat.

Megjithatë, në minutën e 37-të, Gattuso mori një lajm të keq duke humbur Rovellan për shkak të një dëmtimi muskulor. Pavarësisht kësaj, Lazio mbeti kërkuese dhe Tavares goditi shtyllën me kokë në minutën e 44-t. Në krahun tjetër, Genoa u shfaq rrezikshëm me Ellertsson, i cili nuk arriti të devijojë një krosim interesant të Norton-Cuffy në mbyllje të pjesës së parë.

Në fraksionin e dytë, Lazio u bë sërish e rrezikshme me dyshen Tavares-Zaccagni, por ishte sidomos Doekhi ai që shpërdoroi një mundësi të artë për të dyfishuar shifrat. Në zonën tjetër të rreptësisë, ishte Meichtry ai që “hëngri” një rast të pastër për të barazuar për miqtë. Dhjetë minuta nga fundi, Gattuso hodhi në fushë edhe Pinamontin: ish-sulmuesi i Sassuolos bëri kështu debutimin e tij me fanellën bardhekaltër, duke u dalluar menjëherë me një goditje të bukur drejt portës.

Emocioni i fundit i takimit ishte pritja shpëtimtare e portierit Mandas, pas një gjuajtjeje me kokë të Frendrup në minutat e shtesës. Vërshëllima e trefishtë e arbitrit zyrtarizoi fitoren 1-0. Me këtë sukses, Lazio ngjitet në kuotën e 6 pikëve, duke ruajtur ecurinë e përsosur në klasifikim, ndërsa Genoa mbetet e bllokuar në fund me zero pikë.

Top Channel