Inter fiton sërish në këtë fillim sezoni të Serie A. Skuadra zikaltër këtë radhë kaloi Cagliarin në transfertë duke e mundur me rezultatin e ngushtë 1-0 dhe vendimtar për kampionët e Italisë rezultoi Hakan Calhanoglu, autori i golit të fitores për zikaltrit

Vetëm 9 minuta i mjaftuan Interit për të zhbllokuar rezultatin dhe ishte Calhanoglu ai që shënoi për zikaltrit më një gjuajtje jo të fortë por të saktë nga jashtë zone pas një pasimi të saktë të marrë nga Barella. Pas golit, Interi mori kontrollin e lojës dhe u hodh në sulm për të shënuar golin e dytë dhe krijoi disa raste shënimi por pa sukses edhe për meritë të portierit Caprile dhe pjesa e parë u mbyll 1-0 në favor të Interit.

Pjesa e dytë nisi me një tjetër shans shënimi për Interin që tentoi me Esposito, por sërish ishte ndërhyrja e porterit të skuadrës sarde që nuk lejoi topin të përfundojë në rrjetë. Në minutën e 61 ishte Cagliari që rrezikoi në portën e Interit me Faderan, por ky i fundit gjeti përgjigjen e portierit Martinez. Chivu më pas vendosi të aktivizojë Curtis Jones që bëri debutimin e tij me fanellën zikaltër e më pas John Stones, ndërsa në minutën e 76 Bastoni kishte një shans të shkëlqyer por topi përfundoi jashtë shumë pranë shtyllës së portës kundërshtare.

Por në minutën e 84 Interi rrezikoi të pësojë golin e barazimit me Adopon me një gjuajtje në hyrje të zonës dhe ishte Bisseck ai që shpëtoi portën zikaltër. Në fund rezultati mbeti 1-0 për Interin që në këtë mënyrë mori 3 pikë të tjera dhe tashmë e sheh veten në kuotën e 6 pikëve duke iu bashkuar Milanit dhe Juventusit.

Top Channel