“Nuk është normal”/ Messi mahnit sërish, 4 gola dhe një rekord i ri në MLS. Merr kreun për “Këpucën e Artë”

30/08/2026 08:19

Lionel Messi ka dhuruar një tjetër mbrëmje magjike në MLS. Ylli argjentinas shënoi katër gola dhe asistoi një tjetër në fitoren e thellë 7-1 të Inter Miami ndaj CF Montréal, duke vendosur edhe një rekord të ri për klubin.

Në vetëm një mbrëmje, Messi kaloi nga ndjekësi i kreut të garës për “MLS Golden Boot” në liderin e saj. Me katër golat e shënuar ndaj Montréal, 39-vjeçari e çoi bilancin sezonal në 18 gola dhe 10 asistime, duke parakaluar Petar Musën e FC Dallas, i cili kishte 16 gola.

Katër gola në një ndeshje

Inter Miami e nisi ndeshjen në sulm, në kërkim të rikthimit te fitorja pas një serie prej pesë ndeshjesh pa fitore në të gjitha kompeticionet.

Casemiro zhbllokoi rezultatin në minutën e 20-të, ndërsa Montréal arriti të barazojë. Por më pas nisi spektakli i Messit.

Në minutën e 40-të, argjentinasi realizoi me një goditje të lirë për të rikthyer Miami-n në avantazh. Shtatë minuta pas pushimit, Messi shënoi edhe të dytin pas një aksioni individual fantastik.

Më vonë, ai kompletoi “hat-trick”-un me një parabël spektakolare mbi portierin Thomas Gillier, ndërsa në minutat e fundit realizoi edhe golin e katërt me një tjetër goditje të lirë nga distanca.

Fitorja 7-1 ishte më e thella në historinë e Inter Miami-t për sa i përket golave të shënuar në një ndeshje.

Kjo është ajo që do të thotë të kesh Messin në skuadër”, deklaroi mesfushori Casemiro pas ndeshjes. “Duhet t’i shijojmë këto momente, sepse ai është një lojtar që po shkruan historinë.”

Messi në garë për një tjetër çmim MVP

Performanca e jashtëzakonshme e forcon edhe më shumë kandidaturën e Messit për çmimin Landon Donovan MLS MVP, të cilin ai e ka fituar në dy sezonet e fundit.

Me katër golat ndaj Montréal, Messi u bë vetëm lojtari i 19-të në historinë e MLS-së që shënon katër gola në një ndeshje.

Ai vendosi gjithashtu një tjetër rekord, duke u bërë lojtari që ka arritur më shpejt në historinë e MLS-së në 20 ndeshje me të paktën dy gola, duke e realizuar këtë në vetëm 72 paraqitje.

Trajneri i përkohshëm i Inter Miami-t, Guillermo Hoyos, nuk i kurseu elozhet për argjentinasin.

“Është vërtet e pabesueshme. Ai vazhdon të rritet dhe të bëhet gjithnjë e më i madh. Nuk ka fjalë për ta përshkruar”, u shpreh Hoyos.

Nëse vazhdon me këtë ritëm, Messi mund të bëhet lojtari i parë në historinë e MLS-së që fiton tre herë radhazi çmimin MVP.

Inter Miami kërkon të mbrojë titullin

Pavarësisht formës së jashtëzakonshme të Messit, Inter Miami ka ende një diferencë të konsiderueshme në garën për kreun e Konferencës së Lindjes, ku Nashville SC ndodhet 10 pikë përpara.

Megjithatë, skuadra nga Florida synon të përsërisë suksesin e sezonit të kaluar dhe të mbrojë titullin e MLS Cup, duke kërkuar të bëhet skuadra e parë që fiton dy tituj radhazi që prej LA Galaxy në vitet 2011-2012.

Fitorja ndaj Montréal mund të shënojë gjithashtu fundin e një epoke në pankinën e Inter Miami-t. Cristian “Kily” González pritet të marrë drejtimin e skuadrës, së bashku me stafin e tij të ri.

Por për momentin, të gjitha vëmendjet janë te Messi. Katër gola, një asist dhe kreu i “Golden Boot”: një tjetër natë e paharrueshme për legjendën argjentinase.

Top Channel