Goditje për Infantinon, Holanda tërheq mbështetjen: FIFA ka nevojë për lidership të ri
Gjatë një interviste për emisionin “Canal Football Club” mbrëmjen e së dielës, Michel Platini nuk i ka kursyer fjalët e rënda ndaj ish-krahut të tij të djathtë në UEFA dhe presidentit aktual të FIFA-s, Gianni Infantino. Legjenda franceze i cilësoi drejtuesit e sotëm të futbollit botëror si “burokratë të çmendur”.
Armiqësia mes dyshes nuk është më një sekret. Që nga fillimi i verës, beteja e tyre është zhvendosur në gjykatat franceze, pasi ish-kapiteni i “Gjelave” ngriti një padi ndaj kreut të FIFA-s për “ushtrim të ndikimit të paligjshëm”, “komplot kriminal për shpifje” dhe “kallëzim të rremë”. Para kësaj lufte të ftohtë, ata kishin punuar ngushtë në krye të UEFA-s (2007-2015), kohë kur Platini ishte president dhe italo-zvicerani mbante postin e sekretarit të përgjithshëm.
Që në atë periudhë, Platini kishte vënë re etjen e Infantinos për pushtet. “Ai kishte pak nga kjo natyrë, por asokohe kishte një shef mbi kokë. Gjithmonë e kam ditur që i pëlqenin shumë paratë dhe pushteti,” u shpreh ai.
Fituesi i trefishtë i Topit të Artë (1983-1985) i sheh drejtuesit aktualë thjesht si përfitues të sportit, duke theksuar se yjet e vërtetë janë në fushë. “Futbolli është një festë e mrekullueshme, ndeshjet janë ato që kanë rëndësi. Pjesa tjetër është thjesht politikë, një mikrokozmos njerëzish që mendojnë se janë bosët e futbollit. Por shefat e vërtetë janë Mbappé, Zidane, Maradona… Këta të tjerët janë thjesht burokratë që arrijnë në një pozicion, shijojnë lavdinë e paratë dhe më pas i humbasin ato. Ne kemi nevojë për lojtarë,” theksoi francezi.
Ndërkohë që UEFA po shqyrton mundësinë e ndjekjes penale të presidentit të FIFA-s në gjykatat zvicerane për “menaxhim të pandershëm”, Platini beson se kjo betejë nuk do të zgjidhet nga institucionet sportive. “Nëse UEFA dëshiron ta rrëzojë Infantinon, kjo do të bëhet përmes gjykatave. Ai ka dështuar sepse duhej të ishte garantuesi i rregullave të lojës, por nuk i respektoi ato. Ai duhet të largohet!” deklaroi Platini.
Në fund, ish-numri 10 refuzoi kategorikisht çdo mundësi për t’u rikthyer në poste drejtuese: “Klubet apo organet drejtuese? Për mua kapitulli është i mbyllur.”
Top Channel