Çfarë ndodhi mes Ronaldos dhe Infantinos? Gjesti i portugezit pas takimit bëhet viral
Ndërsa një grup emrash të mëdhenj të futbollit botëror ka ngritur zërin kundër drejtimit aktual të FIFA-s dhe ka kërkuar ndryshime në krye të organizatës, Samuel Eto’o ka zgjedhur një tjetër qëndrim.
Presidenti i Federatës së Futbollit të Kamerunit ka dalë publikisht në mbrojtje të Gianni Infantinos, duke kundërshtuar kritikat e forta të bëra vetëm pak orë më parë nga një grup ish-yjesh të futbollit, mes tyre Emmanuel Petit, Robert Pirès dhe Mikaël Silvestre. Në një intervistë për CNN, Eto’o tha se Infantino nuk ka bërë asgjë të gabuar dhe vlerësoi veçanërisht ndikimin e presidentit të FIFA-s në zhvillimin e futbollit afrikan.
“Ai e ka ndihmuar kontinentin tonë. Ai i ka ndihmuar federatat tona të zhvillohen shumë më shpejt dhe ne duhet ta pranojmë këtë”, deklaroi Eto’o. Ish-sulmuesi i Barcelonës dhe Interit shkoi edhe më tej, duke vlerësuar trashëgiminë e Infantinos në drejtimin e futbollit botëror. “Ai e ndryshoi futbollin. Ai u dha mundësi kombeve që nuk i kishin pasur më parë për të marrë pjesë në turneun më të bukur, Kupën e Botës”, tha ish-kapiteni i Kamerunit.
Eto’o beson se kritikat e fundit ndaj Infantinos nuk janë të shkëputura nga zhvillimet politike brenda FIFA-s dhe i lidh ato drejtpërdrejt me zgjedhjet presidenciale që do të zhvillohen në mars të vitit 2027. “E gjithë kjo ndodhi sepse po afrojnë zgjedhjet”, u shpreh ai.
Infantino është aktualisht kandidati i vetëm i deklaruar për një tjetër mandat në krye të FIFA-s. Nëse rizgjidhet, Eto’o i kërkon presidentit të vijojë me projektet e tij. “Duhet ta vendosë projektin e tij përsëri në tryezë”, ishte mesazhi i Eto’o.
Kështu, në një moment kur presioni ndaj Infantinos po rritet dhe zërat kundër tij po bëhen gjithnjë e më të fortë, një prej figurave më të mëdha të futbollit afrikan ka zgjedhur të qëndrojë publikisht në krah të presidentit të FIFA-s.
Top Channel