Federata Argjentinase e Futbollit nuk ka ndërmend t’i pranojë pa kundërshtim dënimet e vendosura nga FIFA ndaj lojtarëve të saj pas incidenteve të ndodhura në përfundim të finales së Kupës së Botës kundër Spanjës.

Argjentina ka bërë të ditur se do t’i drejtohet Gjykatës së Arbitrazhit Sportiv (CAS) për të apeluar pezullimet e Leandro Paredes dhe Nahuel Molinës. Paredes, i cili u përfshi në përplasjet pas përfundimit të ndeshjes, u pezullua për 10 ndeshje dhe u gjobit me rreth 77 mijë euro. Edhe Nahuel Molina u ndëshkua me një pezullim të rëndë, prej 7 ndeshjesh, si dhe me të njëjtën gjobë.

Sipas vendimit disiplinor, të dy lojtarët ishin protagonistë në incidentet që shpërthyen pas vërshëllimës së fundit, në një finale që u shoqërua me tensione të forta mes futbollistëve të dy skuadrave. Dënimet nuk u kufizuan vetëm te dy lojtarët. Thiago Almada dhe Roberto Ayala, ish-mbrojtësi i njohur argjentinas dhe aktualisht pjesë e stafit teknik, u pezulluan me nga një ndeshje dhe u gjobitën me nga 25 mijë euro.

Ndërkohë, edhe Federata Argjentinase e Futbollit u ndëshkua me një gjobë prej rreth 265 mijë eurosh për shkelje të ndryshme disiplinore. Megjithatë, për Argjentinën shqetësimi kryesor mbetet pezullimi i Paredes dhe Molinës. Federata synon që përmes apelimit në CAS të rrëzojë ose të zbusë dënimet, në mënyrë që të dy lojtarët të jenë të disponueshëm për ndeshjet e ardhshme të kombëtares.

Tashmë çështja pritet të zhvendoset nga organet disiplinore të FIFA-s në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv, ku Argjentina do të kërkojë rishikimin e vendimit.

Top Channel