Tronditet Napoli, Como e mund në shtëpi, ekipi i Fabregas merr tre pikët e para të sezonit

30/08/2026 20:39

Como ka shkaktuar befasinë e madhe të javës së dytë në Serie A, duke mposhtur 2-1 Napolin në transfertë dhe duke i shkaktuar skuadrës së Massimiliano Allegrit humbjen e parë të sezonit.

Skuadra e drejtuar nga Cesc Fabregas zhvilloi një ndeshje të zgjuar në “Diego Armando Maradona”, duke kontrolluar topin për pjesën më të madhe të takimit dhe duke shfrytëzuar në maksimum gabimet e vendasve.

Como e gjeti avantazhin në minutën e 17-të. Diao bëri një aksion të bukur individual, shmangu Oliveran dhe shërbeu për Baturinën, i cili me të majtën mposhti Meret duke i dhënë epërsinë miqve.

Napoli reagoi dhe gjeti barazimin në minutën e 30-të. Rasmus Højlund mori topin në hyrje të zonës dhe lëshoi një goditje fantastike me të majtën, thuajse pa marrë vrull, duke e dërguar topin në rrjetë për 1-1. Por barazimi zgjati vetëm katër minuta.

Në minutën e 34-t, Napoli bëri një gafë në ndërtimin e aksionit. Anguissa dhe Marin nuk u morën vesh, duke i dhënë mundësinë Douvikas të përfitonte dhe sulmuesi i Como-s nuk fali, duke shënuar për 2-1.

Napoli ushtroi presion të vazhdueshëm dhe kërkoi golin e barazimit, por Como u mbrojt mirë dhe mbylli hapësirat.

Një fitore me shumë peshë për Fabregas, që merr triumfin e parë në kampionat dhe e çon Como-n në 4 pikë pas dy javësh, duke lënë Napolin me 3 pikë.

Top Channel