Fundi dramatik në Seattle, Belgjika futet në historinë e Botërorit me dy golat e shënuar ndaj Senegalit
Nga Endi Tufa
Flasim për Kupën e Botës. Flasim për Meksikën. Dhe menjëherë, mendja shkon tek një emër, tek një stadium dhe tek një ndeshje që kaloi kufijtë e sportit për t’u shndërruar në mitologji absolute.
Për tifozët anglezë, Estadio Azteca në Mexico City nuk është thjesht një impiant sportiv, është vendi i traumës më të madhe kombëtare, shtëpia ku historia u shkrua me magji dhe “hile”. Sot, me Botërorin 2026 (që zhvillohet në SHBA, Meksikë dhe Kanada), koincidenca është thjesht rrëqethëse: Anglia po rikthehet drejt atij bari të mallkuar fiks 40 vjet pasi një “Zot” argjentinas i gjunjëzoi ata brenda katër minutave.
Çfarë ndodhi në atë pasdite të çmendur të 1986-ës?
Ishte 22 qershor 1986, çerekfinalja e Kupës së Botës. Tensionet e Luftës së Falklands mes Britanisë dhe Argjentinës ishin ende të freskëta. Çdo gjë dukej si një betejë reale, derisa në minutën e 51-të dhe të 55-të, Diego Armando Maradona i dhuroi botës dy pikat më ekstreme të futbollit: mashtrimin më të pafytyrë dhe artin më sublim.
“Dora e Zotit” (Minuta 51): Një top i ngritur lart në zonën e rreptësisë. Portieri anglez Peter Shilton (1.83m) del për ta grushtuar, por Maradona (1.65m) kërcen bashkë me të dhe, me një dinakëri rruge, e dërgon topin në rrjetë me grushtin e majtë. Gjyqtari nuk pa asgjë. Kur e pyetën pas ndeshjes, Diego dha deklaratën që do të bënte xhiron e botës: “Ishte pak koka e Maradonës, dhe pak dora e Zotit.”
“Goli i Shekullit” (Minuta 55): Ndërsa anglezët ende zienin nga inati për padrejtësinë, Maradona vendosi t’u tregonte se përveçse një hileqar gjenial, ai ishte vetë Futbolli. Ai mori topin në gjysmëfushën e tij dhe nisi një vrapim mitik 60-metërsh. Ai dribloi pesë lojtarë anglezë, Hoddle, Reid, Sansom, Butcher, Fenwick, e në fund shmangu edhe portierin Shilton për të shënuar golin më të bukur në historinë e Kupave të Botës. Komentatori legjendar Victor Hugo Morales shpërtheu në lot duke bërtitur: “Gjeni, gjeni, gjeni! Nga cili planet erdhe?!” – një frazë që i rrënqeth ende tifozët.
2026: Hakmarrja e munguar apo mallkim i përjetshëm?
Sot, Estadio Azteca po hap sërish dyert për të pritur sfidat e Botërorit 2026. Skenari që “Tre Luanët” e Anglisë të shkelin përsëri në atë fushë pas ekzaktësisht katër dekadash po ushqen faqet e para të mediave botërore.
Këtë herë, Maradona nuk do të jetë në fushë, por shpirti i tij duket se rri pezull mbi çdo ulëse të atij koloseumi me mbi 80,000 vende. A do të jetë 2026-a momenti kur Anglia do të thyejë “mallkimin e Azteca-s” dhe të mbyllë plagën e hapur nga “Dora e Zotit”? Apo hija e numrit 10 do t’i përndjekë ata sërish në vapën zhuritëse të Meksikës? Për botën e futbollit, ky nuk është thjesht një përkim rasti. Është një dramë shekspiriane që po bëhet gati të ngrejë siparin e aktit të dytë.
Top Channel