Foto/ Vijojnë përplasjet mes Ronaldos dhe Jorge Jesus, 41-vjeçari pëlqen në Instagram postimin që kritikon Portugalinë

03/10/2026 16:18

Cristiano Ronaldo ka dhënë një sinjal të ri në rrjetet sociale, në një moment kur marrëdhënia e tij me Kombëtaren e Portugalisë dhe trajnerin Jorge Jesus është në qendër të vëmendjes.

Ylli portugez ka pëlqyer një video të publikuar në Instagram nga ish-futbollisti brazilian Felipe Melo, i cili kritikoi mënyrën se si Portugalia po trajton Ronaldon dhe mungesën e respektit ndaj tij.

Melo, duke folur për SportV, bëri një krahasim mes trajtimit që Ronaldo merr nga shokët e skuadrës dhe atij që Lionel Messi ka marrë gjatë kohës së tij me Argjentinën.

“Shoh një ndryshim grotesk në trajtimin e Cristiano Ronaldos në raport me lojtarët e Argjentinës me Lionel Messin”, tha ish-mesfushori brazilian.

Melo shkoi edhe më tej në deklaratën e tij, duke mbrojtur hapur Ronaldon.

“Askush nuk arrin nivelin e Cristiano Ronaldos. Është e papranueshme. Nuk mund ta lësh lojtarin më të mirë në histori të largohet kështu, sikur të mos kishte ndodhur asgjë”, u shpreh ai.

Pikërisht këtë video Ronaldo e ka pëlqyer në Instagram, duke tërhequr vëmendjen në një kohë kur tensionet brenda Kombëtares portugeze janë rritur.

Situata nisi pas ndeshjes së Portugalisë kundër Norvegjisë, të fituar 2-1, ku Ronaldo qëndroi gjatë gjithë takimit në stol. Sulmuesi kërkoi më pas një bisedë me trajnerin Jorge Jesus, ndërsa pak ditë më vonë u largua nga grumbullimi i Kombëtares.

Ronaldo nuk ishte pjesë e Portugalisë në fitoren 4-2 ndaj Danimarkës në Ligën e Kombeve.

Pas largimit, 41-vjeçari deklaroi se në një moment do të tregojë arsyet e vërteta që e çuan në këtë vendim.

“Pas konferencës për shtyp të trajnerit të Kombëtares dhe pas një bisede me presidentin e Federatës Portugeze të Futbollit, kam vendosur të largohem nga grumbullimi i Kombëtares”, deklaroi Ronaldo.

“Më vonë do t’u tregoj të gjithë portugezëve të vërtetën për arsyet që më shtynë të largohem nga Kombëtarja, së cilës i jam përkushtuar gjithmonë.”

Në fund, Ronaldo uroi Portugali dhe shokët e skuadrës për sukses, por pa dhënë detaje të tjera mbi konfliktin me Jesus.

Pëlqimi i postimit të Felipe Melos është interpretuar si një shenjë mbështetjeje ndaj mesazhit të brazilianit, megjithëse Ronaldo nuk ka bërë një deklaratë të drejtpërdrejtë përmes tij.

Top Channel