E papritur/ Skandali me “spiunin” në futbollin anglez, Liga përjashton skuadrën nga finalja e play off-it për t’u ngjitur në Premier League

19/05/2026 21:23

Southampton është përjashtuar nga “play-off”-et e Championship-it pas një vendimi disiplinor të EFL, pasi klubi pranoi shkelje të rregullave përmes filmimeve të paautorizuara gjatë stërvitjeve të kundërshtarëve.

Sipas vendimit të Komisionit të Pavarur Disiplinor, Southampton është përjashtuar nga faza e “play-off”-eve për sezonin aktual dhe do të penalizohet me heqjen e katër pikëve në sezonin 2026/27 të Championship-it.

Në vendimin zyrtar të EFL thuhet se shkeljet lidhen me filmimin e paautorizuar të seancave stërvitore të klubeve të tjera, përfshirë rastet ndaj Middlesbrough, si edhe ndaj Oxford United dhe Ipswich Town.

Vendimi ka sjellë ndryshime të menjëhershme në garë, ku Middlesbrough rikthehet në “play-off” dhe do të përballet me Hull City në finalen e Wembley-t, e planifikuar për të shtunën më 23 maj.

Middlesbrough e ka mirëpritur vendimin, duke e cilësuar atë si një mesazh të qartë për integritetin sportiv dhe sjelljen në futboll.

Ndërkohë, nga kampi i Southamptonit thuhet se klubi e konsideron dënimin të tepruar dhe tashmë ka nisur procesin e apelimit, duke pretenduar se vendimi është ndikuar nga rrjedhjet në media gjatë hetimit.

EFL ka konfirmuar se Southampton ka të drejtë ankimi dhe se palët po punojnë për shqyrtimin e mundshëm të apelimit në ditët në vijim, gjë që mund të ndikojë edhe në kalendarin e finales së “play-off”-it në Wembley.

Top Channel