Tashmë është e sigurt, Pep Guardiola do të largohet nga Manchester City në fund të sezonit. Por ajo që nuk i ka pëlqyer aspak trajnerit katalanas duke mos e fshehur zemërimin, është mënyra sesi u përhap lajmi në mbrëmjen e së hënës.

Në fakt trajneri 55 vjeçar nuk donte që e gjithë kjo të mësohej publikisht përpara ndeshjes me Bournemouth dhe sipas asaj që publikon tabloidi britanik ‘The Sun’ që citon disa burime, Haaland dhe futbollistët e tjerë të Manchester City kanë mbetur të shokuar nga vendimi i trajnerit të tyre për t’u larguar nga Citizens.

Në fakt lojtarëve, ditën e shtunë iu ishte komunikuar se ish trajneri i Barcelonës dhe Bayernit të Mynihut do të qëndrontë në pankinë për të paktën edhe një sezon tjetër. Për këtë arsye, mësohet se trajneri katalanas zhvilloi një mbledhje me videotelefonatë në orët e vona të natës  ku të pranishëm ishin të gjithë anëtarët e skuadrës dhe në këtë mbledhje ai mësohet se iu komunikoi zyrtarisht vendimin e tij për të lënë Manchester City.

Por jo vetëm kaq, Guardiola mësohet se iu kërkoi të gjithëve ndjesë për mënyrën sesi lajmi u përhap në mënyrë të papritur. Guardiola, fitues i trofeve të shumtë, tani mund t’i lejojë vetes një vit pushim për t’u kthyer ndoshta në drejtimin e ndonjë skuadreje kombëtare.

Top Channel