Nga Endi Tufa

Kur Mario Kempes erdhi në Lushnjë, nuk kërkoi as pasaportë, as leje banimi. Erdhi, pa, dhe u largua me avionin e fundit. Sylvinho, Zabaleta dhe Doriva, nga ana tjetër, bënë të kundërtën: erdhën, fituan dhe u bënë lushnjarë.

Ishte dhjetori i vitit 1996 kur Lushnja bëri bujë në botë. Jo për naftën, jo për bujqësinë dhe as sepse dikush kishte gjetur thesar nën rrugicat e saj. Por, sepse njëri nga golashënuesit më të mëdhenj të historisë së futbollit, Mario Kempes, kampioni i Botërorit të vitit 1978, zbriti në stadiumin “Roza Haxhiu” si një spektakël surreal mes dimrit ballkanik. Presidenti i klubit, Rrapush Xhaferri, pronar i një firme piramidale, financier i guximshëm dhe ish-volejbollist, kishte nxjerrë nga kasaforta e firmës 350 mijë dollarë për të blerë shërbimet e një legjende të futbollit botëror.

Kempes erdhi. Fitoi dy ndeshje. Dhe u largua natën, fshehurazi, nëpër rrugë dytësore e me avionin e fundit drejt Romës, duke e përmbledhur përvojën e tij me fjalët: “Ishim në dorë të Zotit.”

Pa pasaportë shqiptare. Pa certifikatë banimi në lagjen “Çlirimi”. Pa asnjë dokument të vulosur nga Bashkia e Lushnjës. Kempes ishte një vizitor i vërtetë: erdhi, punoi dhe iku pa lënë asnjë gjurmë administrative.

Kaluan rreth tridhjetë vjet. Lushnja u qetësua. Piramidat u shembën, por qyteti mbijetoi. Dhe më pas, si një dhuratë nga qielli, u lajmërua se tre latino-amerikanë “kishin zgjedhur” Lushnjën si qytetin e tyre të zemrës.

Sylvinho, i lindur në São Paulo, i formuar në Barcelonë dhe me familjen në Porto të Portugalisë, u bë banor zyrtar i lagjes “Çlirimi”. Zabaleta, ish-ylli i Manchester City-t dhe argjentinas i kulluar, u bë po ashtu lushnjar me dokumente. Doriva, braziliani i dytë i stafit, ndoqi me përpikëri shembullin e kolegëve të tij.

Të tre u betuan në sallën e Bashkisë së Lushnjës. Të tre morën pasaportën e kuqe shqiptare. Dhe të tre…vazhduan të jetojnë e të punojnë në Tiranë, ashtu siç kishin bërë gjithmonë. Lushnja kishte fituar tre qytetarë të rinj, të cilët stadiumin “Roza Haxhiu” nuk e kishin parë kurrë nga brenda.

Dallimi mes Kempes dhe treshes sonë trajneriale është një hendek i thellë i qytetërimit administrativ.

Kempes erdhi me paratë e piramidës dhe u largua pa lënë asnjë letër. Sylvinho, Zabaleta dhe Doriva erdhën me paratë të deklaruar me një faturë stafi rreth 1 milion euro në vit, e bashkëfinancuar drejtpërdrejt nga qeveria dhe u larguan duke lënë pas tre karta identiteti, tre dosje në gjendjen civile dhe, ndoshta, tre numra telefoni të zyrtarit të bashkisë që i ndihmoi me procedurat. Progresi, fundja, është i dukshëm.

Sot, më 19 maj 2026, FSHF mbajti një konferencë për shtyp. Presidenti Duka deklaroi me zë të dridhur se “mbyllëm një cikël”. Sylvinho foli plot emocione: “Tani e njoh shumë mirë Shqipërinë dhe Tiranën.” Tiranën, jo Lushnjën, vini re, por ky është një detaj i vogël periferik që nuk duhet të turbullojë ndjenjat kombëtare. Dhe kur një gazetar imagjinar do të pyeste nëse Sylvinho do të vizitonte ndonjëherë lagjen “Çlirimi”, ku dhe figuron si banor i rregullt, burimet e afërta me stafin mund të kishin deklaruar me lehtësi se “nuk është planifikuar asnjë vizitë e tillë”.

Ndërkaq, Lushnja vazhdon rrugën e saj. Ka humbur tre taksapagues të rinj (sepse kur lë Shqipërinë, zhbëhet edhe dokumentat e gjendjes civile). Megjithatë, ka fituar një vend të nderuar në historinë kurioze të futbollit shqiptar: i vetmi qytet në Ballkan që ka strehuar administrativisht si kampionin e Botërorit 1978, ashtu edhe stafin teknik që çoi Shqipërinë në Europianin 2024.

Mario Kempes erdhi me piramidë dhe iku me avionin e e parë që i doli përpara. Sylvinho erdhi me buxhet të dekaruar dhe iku me konferencë shtypi. Të dyja palët lanë pas kujtime të bukura.

Lushnja, qyteti që nuk i zgjedh banorët e vet, por banorët e zgjedhin atë. Të paktën, në letër.

Top Channel