Fundi i “Samba-s” dhe rikthimi te “Italian Job”, prapaskenat e lamtumirës së Sylvinhos dhe faturat e një suksesi historik

19/05/2026 09:04

Nga një emër i parë me skepticizëm në një hero kombëtar, e deri te divorci i ftohtë në tryezën e negociatave. Epoka e Sylvinhos në krye të Kombëtares Shqiptare të Futbollit është tashmë një kapitull i mbyllur, duke lënë pas një trashëgimi të artë, por edhe një ndarje që ngre pikëpyetje.

Shqiponjat mbyllin përfundimisht faqen braziliane për t’u rikthyer aty ku ndihen më komodë taktikisht: te shkolla italiane e futbollit. Por si arritëm deri këtu?

Fluturimi i papritur: Nga anonimati te rekordet

Kur Sylvio Mendes Campos Júnior zbarkoi në Tiranë, CV-ja e tij si trajner i parë nuk ishte as e pasur dhe as bindëse. Megjithatë, ai mori një grup me potencial dhe e transformoi në një makineri kompakte dhe entuziaste. Rezultati ishte historik: kualifikimi në Kampionatin Europian me një fushatë rekordesh, futboll spektakolar dhe një bashkim i jashtëzakonshëm i lojtarëve.

Kulmi i këtij rrugëtimi nuk u ndal në Gjermani. Sylvinho udhëhoqi kuqezinjtë drejt një tjetër arritjeje madhore, duke i dërguar në fazën “play-off” për në Kupën e Botës. Kontrata e tij, e cila në letër skadonte në dhjetor të vitit të shkuar, u zgjat natyrshëm deri në muajin korrik për të mbuluar pritshmëritë dhe rëndësinë e sfidave të “play-off”-it përballë Polonisë dhe Ukrainës.

Fatura e suksesit: Një milion euro dhe ndihma e qeverisë

Suksesi, natyrisht, ka një çmim. Për të pasur një staf të nivelit të lartë, ku krahas Sylvinhos spikasnin emra si ish-ylli i Manchester City-t, Pablo Zabaleta, dhe Dorival, u nevojit një sforcim i jashtëzakonshëm financiar.

Për herë të parë në këto vite, për të përballuar pagën e këtij stafi u desh edhe kontributi i drejtpërdrejtë i qeverisë. Shifra? Rreth 1 milion euro në vit për të gjithë stafin teknik. Një paketë e majme për realitetin tonë, por e konsideruar e justifikuar për sa kohë rezultatet në fushë po shkruanin historinë.

Pse dështoi rinovimi? Prapaskena e një “Jo”-je

Largimi nuk erdhi si pasojë e mungesës së dëshirës për të vazhduar projektin sportiv. Guri i parë i provës ishte vullneti i trajnerit. Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, e kishte lënë të qartë: hapi i parë ishte që vetë Sylvinho të reflektonte nëse ndihej i aftë të mbante nën kontroll këtë grup dhe të menaxhonte presionin e vazhdimësisë.

Braziliani, pasi analizoi situatën, e ndjeu veten të gatshëm për të qëndruar në “timon”. Por, ashtu siç ndodh rëndom në botën e futbollit profesionist, dëshira duhej përkthyer në kontratë. Faza e dytë ishin negociatat financiare, dhe këtu mekanizmi u bllokua. Burimet pranë institucionit të futbollit bëjnë me dije se palët nuk gjetën gjuhën e përbashkët. Trajneri kishte pretendime për një rritje dhe përfitim financiar ndryshe nga ofroi federata, duke çuar në një krisje përfundimtare dhe ndërprerjen e bashkëpunimit.

Vazhdimi i epokës italiane: Një traditë e pashkëputur

Me largimin e Sylvinhos, pankina kuqezi braktis “samba”-n dhe i rikthehet asaj që mund të quhet “gjëndja natyrale” e dekadave të fundit: trajnerëve italianë.

Historia e teknikëve të huaj me Shqipërinë është e gjatë, por lidhja me italianët mbetet më e forta dhe më e suksesshmja.

• E nisëm me Giuseppe Dossena-n (2002), i cili solli shkëndijat e para të një mentaliteti profesionist.
• Kulmuam me arkitektin e mrekullisë së Euro 2016, Gianni De Biasi, i cili mbetet një hero i padiskutueshëm i futbollit tonë.
• Më pas stuhitë e Christian Panucci-t, i cili u përpoq të sillte disiplinë të ashpër, por u përplas me realitetin e grupit.
• Për të ardhur te qetësia dhe përvoja e moshës me Edy Reja-n, i cili bëri tranzicionin e brezave, rindërtoi mbrojtjen me skemën 3-5-2 dhe përgatiti terrenin për ekipin që trashëgoi Sylvinho.

Tani, zgjedhja është sërish një “Mister” italian, një tjetër mjeshtër i taktikës dhe pragmatizmit. Kombëtarja mbyll një epokë spektakli për të hapur një kapitull të ri ku pritet që kërkesat taktike, disiplina fizike dhe rregulli i hekurt në fushë të jenë kryefjala e rrugëtimit të ri të shqiponjave!

Top Channel