Tenisti spanjoll Carlos Alcaraz ka njoftuar se nuk do të marrë pjesë në turnetë e rëndësishëm të barit, Queen’s dhe Wimbledon, për shkak të një dëmtimi në kyçin e djathtë që vazhdon ta mbajë larg fushave.

Në një postim në Instagram, Alcaraz bëri të ditur se rikuperimi po ecën mirë, por ai ende nuk është gati për rikthim në garë.

“Rikuperimi im po shkon mirë dhe ndihem shumë më mirë, por për fat të keq nuk jam ende gati të garoj. Queen’s dhe Wimbledon janë dy turne shumë të veçantë për mua dhe do të më mungojnë”, shkroi tenisti spanjoll.

Dëmtimi në kyçin e djathtë e ka penalizuar ndjeshëm Alcaraz gjatë këtij sezoni. Problemi fizik u shfaq në mesin e prillit gjatë turneut në Barcelonë dhe rezultoi më serioz sesa pritej. Për pasojë, spanjolli ka humbur disa nga kompeticionet më të rëndësishme të sezonit, përfshirë Masters 1000 në Madrid, Italian Open, Roland Garros dhe tani edhe Wimbledon.

Ndërkohë, Alcaraz foli edhe për rivalitetin me Jannik Sinner, duke theksuar respektin që ekziston mes tyre jashtë fushës.

“Po i tregojmë botës se mund të japim gjithçka në fushë dhe më pas, jashtë saj, të jemi thjesht dy djem që shkojnë shumë mirë me njëri-tjetrin. Nuk ka nevojë të urrejmë njëri-tjetrin vetëm sepse duam të arrijmë të njëjtat objektiva”, deklaroi ai për Vanity Fair.

Mungesa e Alcaraz favorizon ndjeshëm Sinner në renditjen ATP. Italiani aktualisht kryeson me 14,700 pikë dhe tashmë është i sigurt se do të mbetet numri 1 në botë edhe pas Wimbledonit.

 

Ky rezultat do t’i lejojë Sinner të arrijë të paktën 80 javë në krye të renditjes ATP, duke barazuar rekordin e Lleyton Hewitt si lojtari i dhjetë me qëndrimin më të gjatë në vendin e parë që nga krijimi i renditjes së kompjuterizuar në vitin 1973.

Top Channel