Në Maqedoninë e Veriut pas ardhjes në pushtet të koalicionit VLEN kanë nisur debate të forta për të drejtat e Shqiptarëve të sanksionuara në marrëveshjen e Ohrit.

Arben Fetai zëvendës kryeministër në vendin fqinj në një intervistë për gazetarin e Top Channel Muhamed Veliu fillimisht i përgjigjet pyetjes nëse me zhvillimet e fundit preket marrëveshja e Ohrit.

“Nuk cënohen fare, Kushtetuta nuk është prekur ende dhe presim që ta hapim Kushtetutën për të vazhduar rrugën europiane të vendit. Në atë moment do të hapim edhe do shtjellojmë dhe çështjen e definicionit të gjuhës”, tha ai.

Pritet me interes se çfarë do të vendosë gjykata kushtetuese atje për ligjin e gjuhës shqipe.

“E majta ekstreme, e majtë pro ruse dorëzuan nisma në Kushtetuese për të kundërshtuar këtë ligj në disa pika. Për vite më radhë ankesa të tilla kanë mbetur në sirtarët e Kushtetuese, dhe pas 7 vitesh rihapen lëndët, dhe gjykata që është e stërmbushur  me njerëz të zgjedhur nga dy qeveritë paraprake… Kushtetuesja duhet të dije se ligje të tilla që sillen me shumicë të dyfishtë nuk mund të zhbëhen nga një trup tjetër”, tha ai për Top Channel.

Për letrën e Ali Ahmetit me një mori shqetësimesh adresuar faktorit ndërkombëtar, Arben Fetai zëvendës kryeministër dha këtë koment.

“Ahmeti e ka vështirë të ambientohet në roli e tij të ri si opozitë, shqetësimi i tij është përballja me drejtësinë që pritet ta përjetojë për herë të parë BDI dhe zyrtarët e tyre që janë zhytur në korrupsion. Në media flitet se shumë njerëz të afërt të tij janë të dyshuar për pasurim marramendës, rasti i nipit të tij që ka blerë pronë 23 mln euro në qendër të Shkupit. Këto janë përpjekje të dëshpëruara. Marrëveshja e Ohrit nuk preket”, shtoi ai.

Arben Fetai nuk e shikon me shqetësim vendimin e gjykatës kushtetuese për kuotat e punësimit të parashikuara për avancimin e integrimin eurpian të Maqedonisë së Veriut.

“Kemi një grup punues që po përgatit këtë ligj. Komuniteteve u takon punësimi sipas caktimit të fundit të popullsisë”, u shpreh Fetai.

Arben Fetai e shikon të lidhur me zgjidhjen e mosmarrëveshjeve me Bullgarinë. Dhe për këtë tregon zgjidhjen.

“Shumë shpejt në momentin e parë që do kemi një qeveri politike në Bullgari, do gjejmë një zgjidhje që të ecim në këtë rrugëtim bashkë me Shqipërinë dhe Malin e Zi”, përfundoi ai.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA