Putini troket në derën e Evropës me “mjetin” gjerman të ekstremit të djathtë/ Moska dhe AfD në të njëjtën tryezë për kthimin e gazit rus në Berlin

18/09/2026 19:51

Katër vjet pas pushtimit rus të Ukrainës dhe ndërprerjes së marrëdhënies energjetike mes Berlinit dhe Moskës, rikthimi i gazit natyror rus në Gjermani po rikthehet në diskutimet politike.

Sipas Reuters, Kirill Dmitriev, zyrtari që ka marrë përsipër kontaktet ekonomike të nivelit të lartë për Kremlinin, dhe drejtues të Alternativës për Gjermaninë (AfD) po përgatisin një takim për marsin e vitit 2027. Sipas dy burimeve të njohura me diskutimet, në qendër të bisedimeve pritet të jetë mundësia e rikthimit të flukseve ruse të energjisë në ekonominë më të madhe të Evropës.

Në fokus janë tubacionet Nord Stream, të cilat para luftës simbolizonin lidhjen e fortë energjetike mes Gjermanisë dhe Rusisë. Pas shpërthimeve të shtatorit 2022, ato u kthyen në simbol të përçarjes mes Moskës dhe Perëndimit.

Në takimin e mundshëm pritet të marrin pjesë bashkëkryetarët e AfD-së, Alice Weidel dhe Tino Chrupalla. Si vende të mundshme për zhvillimin e tij janë përmendur Izraeli, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe India.

As përfaqësuesit e AfD-së dhe as Kirill Dmitriev nuk pranuan të komentojnë mbi këto informacione.

Takimi do të varet nga arritja paraprake e një kuadri paqeje mes Rusisë dhe Ukrainës. Sipas burimeve, organizatorët synojnë të krijojnë një platformë ku të përfshihen AfD, Rusia dhe, potencialisht, përfaqësues të Shteteve të Bashkuara.

Para pushtimit të Ukrainës në vitin 2022 dhe vendosjes së sanksioneve, Rusia siguronte më shumë se një të tretën e importeve gjermane të naftës bruto dhe mbi gjysmën e importeve të gazit natyror.

Ndërprerja e furnizimeve ruse shkaktoi tronditje të forta në ekonominë gjermane, ndërsa dëmtimi i tubacioneve Nord Stream në shtator 2022 i dha fund në mënyrë efektive marrëdhënies së mëparshme energjetike mes Berlinit dhe Moskës.

Alice Weidel ka mbështetur vazhdimisht rifillimin e importeve të naftës dhe gazit rus, duke argumentuar se energjia e lirë ruse ka qenë për dekada një avantazh për industrinë gjermane.

Takimi i mundshëm vjen në një moment kur AfD, edhe pse nuk është pjesë e qeverisë, ka forcuar pozitat e saj politike në Gjermani.

Partia ka shënuar rezultate të rëndësishme në zgjedhjet rajonale në Saksoni-Anhalt dhe ka zgjeruar praninë e saj, veçanërisht në pjesët lindore të vendit, ku çështja e marrëdhënieve me Rusinë mbetet e ndjeshme.

AfD e paraqet rikthimin e gazit rus si një mundësi ekonomike dhe si një mënyrë për t’iu përgjigjur kostove të larta të energjisë që përballon ekonomia gjermane.

Ideja e një afrimi të ri energjetik me Moskën ka shkaktuar reagime në Berlin.

Deputeti i të Gjelbërve, Michael Kellner, i cili ishte përgjegjës për politikën energjetike gjatë krizës, paralajmëroi se Gjermania nuk duhet të rikthehet në një varësi të re nga Rusia.

“Nuk mund t’i përsërisim gabimet e krizës energjetike”, tha Kellner, duke argumentuar se Moska e përdor energjinë si mjet ndikimi.

Shqetësime të ngjashme ka shprehur edhe Roderich Kiesewetter, anëtar i Demokratëve të Krishterë të kancelarit Friedrich Merz. Ai ka argumentuar se rihapja e Nord Stream do të kishte pasoja për sigurinë evropiane.

Ndërkohë, AfD vazhdon të mbrojë idenë se bashkëpunimi energjetik me Rusinë mund të ndihmojë në rritjen e konkurrueshmërisë së ekonomisë gjermane.

Diskutimet zhvillohen në një kohë kur Gjermania po përpiqet të përshtatet me shkëputjen nga energjia e lirë ruse, ndërsa Moska kërkon të ruajë kanalet e saj të ndikimit në Evropë.

Top Channel