Ndahet nga jeta në moshën 103-vjeçare Margarita Chant-Papandreou, një pioniere e të drejtave të grave në Greqi dhe bashkëshortja e ish-kryeministrit grek

18/09/2026 19:18

Margarita Chant-Papandreou, aktivistja e njohur për rolin e saj në forcimin e të drejtave ligjore dhe sociale të grave në Greqi, është ndarë nga jeta në shtëpinë e saj në Athinë, vetëm pak ditë para se të festonte 103-vjetorin e lindjes.

Chant-Papandreou lindi më 30 shtator 1923 në Oak Park, Illinois, në Shtetet e Bashkuara. Ajo ishte bashkëshortja e ish-kryeministrit grek Andreas Papandreou dhe nëna e Giorgos Papandreou, i cili gjithashtu ka shërbyer si kryeministër i Greqisë.

Presidenti i Republikës Helenike, Konstantinos Tasoulas, e kujtoi atë për kontributin e saj në ndryshimin e statusit të grave në shoqërinë greke.

“Margarita mbështeti dhe frymëzoi reformën e së drejtës familjare, transformimin e të drejtave sociale dhe politike dhe përmirësimin e statusit të grave në shoqërinë greke”, deklaroi Tasoulas.

Ajo ishte gjithashtu aktive në luftën kundër kancerit, tuberkulozit dhe poliomielitit. “Ajo e donte shumë Greqinë. Ishte gruaja e një kryeministri dhe nëna e një kryeministri, por mbi të gjitha, ishte një qytetare e përkushtuar”, u shpreh presidenti grek.

E angazhuar në lëvizjen feministe, Chant-Papandreou shërbeu si presidente e Unionit të Grave të Greqisë. Ajo luajti një rol në promovimin dhe formësimin e legjislacionit që solli ndryshime të rëndësishme në të drejtat e grave.

Ndër reformat e rëndësishme të viteve ’80 ishte heqja e sistemit të prikës dhe futja e martesës civile në vitin 1982, si dhe ndryshimet ligjore që u garantuan grave të drejta të barabarta për kujdestarinë e fëmijëve pas divorcit.

Fillimisht, Chant-Papandreou studioi gazetari. Ajo u njoh me bashkëshortin e saj të ardhshëm, Andreas Papandreou, në Universitetin e Minesotës në vitin 1947. Në vitin 1961, çifti u zhvendos në Greqi, ku ajo e ndoqi nga afër angazhimin politik të bashkëshortit të saj.

Andreas Papandreou u zgjodh kryeministër i Greqisë në vitin 1981, duke udhëhequr partinë socialiste PASOK. Ai u bë një prej figurave qendrore të politikës greke në periudhën pas rënies së diktaturës së kolonelëve në vitin 1974.

Top Channel