Foto/ Tragjike në Greqi, si humbën jetën tre të rinjtë shqiptarë, nga aksidenti edhe dy të tjerë të plagosur në gjendje kritike Rreth 365 milionë euro për 35 vjet. Kjo është vlera e parashikuar e koncesionit Milot-Balldren, rruga 17 kilometra e gjatë që do të ndërtohet dhe operohet nga katër kompani private.
E përkthyer në kilometra, fatura shkon në rreth 21.5 milionë euro për kilometër. Por jo e gjithë shuma është kosto ndërtimi.

Sipas dokumenteve të prokurimit, rreth 182.5 milionë euro parashikohen për ndërtimin dhe rehabilitimin ndërsa pjesa tjetër për projektimin, sistemin e pagesës, operimin dhe mirëmbajtjen gjatë 35 viteve. Vetëm ndërtimi llogaritet në rreth 10.7 milionë euro për kilometër.

Projekti përfshin edhe një tunel me dy tuba, secili rreth 850 metra, për anashkalimin e qytetit të Lezhës.

Fitues i garës së shpallur nga Ministria e Infrastrukturës është konsorciumi i kompanive “Salillari”, “ALB TIEFBAU” i Flamur Hoxhës, “InfraKonsult” e Redi Strugës dhe “ERALD-G” e Gëzim Ismailit.

Por mes emrave që do të zbatojnë kontratën 35-vjeçare, ka edhe persona që kanë përfunduar në dosjet e SPAK.
“ERALD-G” është në pronësi të Gëzim Ismailit, emri i të cilit është përmendur në hetimet për dosjen e njohur si “Grupi i Arubës”. Nënkryetari i Partisë Demokratike, Belind Këlliçi, ka deklaruar publikisht se Ismaili është përfshirë në hetimet që lidhen me dyshime për trafik ndërkombëtar droge dhe pastrim parash. Në qershor 2026 u raportua edhe për masa sigurie të vendosura në kuadër të kësaj dosjeje.

Bëhet fjalë për hetime në zhvillim dhe jo për një konstatim fajësie. Por nuk është i vetmi emër.
Edhe Redi Struga i “InfraKonsult” është përfshirë në veprimet hetimore të SPAK. Në qershor, Prokuroria e Posaçme urdhëroi kontrolle në kuadër të hetimeve për dyshime mbi tjetërsimin e pronave në Zvërnec.
Pra, dy prej kompanive të konsorciumit që do të ndërtojë dhe operojë Milot-Balldrenin lidhen me persona të përfshirë në çështje që ndodhen aktualisht nën hetim.

Ndërkohë jo të gjitha detajet e marrëveshjes janë bërë publike.
Në regjistrin e prokurimeve rezultojnë konsorciumi fitues dhe vlera e parashikuar prej afro 365 milionë eurosh, por mungojnë ende të dhëna të rëndësishme të kontratës, përfshirë vlerën përfundimtare të kontraktuar, ndarjen e pjesëmarrjes mes katër kompanive dhe planin financiar të ofertës fituese.
Milot-Balldren është ndërkohë një projekt që vjen me precedent.
Në vitin 2018, koncesioni iu dha A.N.K., por kontrata u zgjidh më pas për mosplotësim të kushteve të financimit.
Auditimet e KLSH-së për procedurën e parë evidentuan problematika në dokumentacionin financiar, përfshirë mospërputhje në shumat dhe afatet e financimit të deklaruara.

Tetë vite më vonë, Milot-Balldren rikthehet për herë të dytë. Dhe këtë herë, dy prej emrave të lidhur me kompanitë fituese janë njëkohësisht në vëmendjen e SPAK.
Top Channel