Reali më në fund “heq qafe” dështimin 100-milionësh

03/06/2023 23:05

Në një ditë me lamtumirë “yjesh”, surpriza vjen nga Spanja: Eden Hazard largohet nga Reali i Madridit.

Marco Asensio ishte i pari, më pas Mariano Diaz dhe pak pas orës 20:00 klubi mbretëror zyrtarizoi “divorcin miqësor” me futbollistin belg.

Nesër, kundër Athletic Bilbaos, do të jetë ndeshja e fundit e ish-futbollistit të Chelsea-t, që u transferua në Madrid në vitin 2019 me stofin e trashëgimtarit të Cristiano Ronaldos.

Një kalvar lëndimesh nuk e lejuan lojtarin nga “La Louviére” të shfaqte atë potencial që mrekulloi në “Stamford Bridge”. Koha e Hazard te Reali ka përfunduar.

Kontrata e tij skadon më 30 qershor 2024, por ndarja është afruar me një vit.

Deklarata e Realit të Madridit

“Reali i Madridit dhe Eden Hazard kanë arritur një marrëveshje sipas së cilës lojtari ndahet nga klubi që nga 30 qershori 2023.

Eden Hazard ka katër sezone si pjesë e klubit tone duke fituar 8 trofe: 1 Champions, 1 Botëror për Klube, 1 Superkupë Evropiane, 2 Liga, 1 Copa del Rey dhe 2 Superkupa të Spanjës.

Reali i Madridit dëshiron të shprehë dashurinë për Eden Hazardin dhe i uron atij dhe gjithë familjes së tij fat në këtë fazë të re”.

Top Channel