Flamurtari nuk humb kohë, zyrtarizon trajnerin me të cilin kërkon ngjitjen në Superiore

02/06/2023 21:46

Drejtuesit e Flamurtarit nuk humbin kohë për përgatitjet për sezonit të ri. Vetëm pak ditë pas zhgënjimit në ndeshjen e play off-it kundër Korabit, klubi kuqezi ka zyrtarizuar trajnerin e ri, që merr postin e lënë bosh nga italiani Diego Longo.

Bëhet fjalë për një emër të njohur të afirmuar edhe në kategorinë Superiore. “Timonin” e Flamurtarit e merr Emiliano Çela, që e pati të pamundur të siguronte mbijetesën e Kastriotit në Superiore.

Çela është një trajner që e njeh shumë mirë futbollin shqiptar, dinamikat e tij, dhe shquhet për grintën që ia injekton skuadrës në fushën e lojës.

Objektivi i tij do të jetë ngjitja e Flamurtarit në Superiore, ku mungon prej shumë sezonesh.

Top Channel