Partizani feston titullin e 17-të në histori, Vllaznia shkon në Europë/ Bie Bylisi, shpresë për Erzenin!

29/05/2023 18:02

Pas katër vitesh, Partizani rikthehet te titulli kampion në Superiore teksa të kuqtë mposhtën në shtëpinë e tyre, Teutën me rezultatin 2-0.

Demat kishin fatet në këmbët e tyre dhe nuk zhgënjyen në sytë e tifozëve teksa golin vendimtar e realizoi Arinaldo Rrapaj në minutën e 38-të. Miqtë ishin të pafuqishëm për të reaguar dhe vendasit e menaxhuan më së miri avantazhin ndërsa në minutat shtesë gjetën edhe golin e dytë me Tedi Carën duke festuar kështu titullin e 17 në histori. Për t’u theksuar edhe fakti se trajneri Giovanni Colella bëhet i pari trajner italian që fiton titullin me Partizanin.

Nga ana tjetër, Tirana duhet të kënaqet me vendin e dytë edhe pse bardheblutë fituan në ndeshjen e fundit të sezonit me rezultatin 1-2 ndaj Erzenit në Durrës. Kryeqytetasit kaluan të parët në avantazh me anë të Rimal Haxhiut në minutën e 36-të, por vetëm tre minuta më pas Ilirid Ademi barazoi shifrat. Rezultati në fund me Kristal Abazajn, por goli shërbeu sa për statistikë teksa kjo humbje nuk i prishi punë shijakasve që shmangën rënien një kategori më poshtë, edhe pse nuk e kanë siguruar ende elitën pasi ju duhet të luajnë në Play-Out kundër Korabit.

Në ndeshjet e tjera, Vllaznia fitoi në Ballsh ndaj Bylisit vendas me rezultatin 1-2 duke siguruar kualifikimin në Europë, ndërsa ballshiotët bien një kategori më poshtë duke mos mbijetuar në elitë. Laçi fitoi me shifrat 3-0 ndaj Kastriotit, por vendasit mbeten jashtë Europës duke mos shkuar më shumë se vendi i pestë në klasifikim.

Një triumf me vlera edhe për Kukësin në Rrogozhinë ndaj Egnatias. Verilindorët fituan me shifrat 0-1 teksa autori i golit ishte Shqiprim Taipi i cili zhbllokoi ndeshjet në minutën e 55-të. Pas këtij rezultati, Kukësi e mbyll kampionatin në vendin e shtatë ndërsa Kastrioti e kishte vulosur rënien një kategori më poshtë.

FOTO GALERI
1/56

Top Channel