Pati një debutim të shkëlqyer, Marash Kumbulla ‘i hap punë’ trajnerit të Rayo Vallecano
Projekti do të ruajë atmosferën e San Siros, ndërsa ndërtimi synohet të nisë në vitin 2028. Ndeshja e parë parashikohet të luhet në sezonin 2031/32.
AC Milan dhe Inter kanë zbuluar projektin e stadiumit të ri që do të zëvendësojë San Siron dhe do të mbajë emrin Generali. Impianti do të ketë rreth 71,500 vende dhe synon të ruajë identitetin dhe atmosferën e stadiumit historik, duke ofruar njëkohësisht standarde moderne për futbollin e nivelit më të lartë.
Projekti është rezultat i vizionit afatgjatë të dy klubeve dhe pronarëve të tyre, RedBird Capital Partners dhe Oaktree, me synimin për të forcuar konkurrueshmërinë sportive, për të krijuar burime të reja të ardhurash dhe për të kontribuar në modernizimin e futbollit italian. Stadiumi është projektuar nga studiot arkitekturore Foster + Partners dhe MANICA, të drejtuara përkatësisht nga Lord Norman Foster dhe David Manica. Dy arkitektët kanë bashkëpunuar edhe në projektin e stadiumit të ri Wembley në Londër.
Emri Generali do të vijë përmes një prej marrëveshjeve më të mëdha të të drejtave të emërtimit të stadiumeve në sportin botëror. Kompania italiane e sigurimeve do të jetë gjithashtu partneri zyrtar i sigurimeve për të dy klubet.
Arkitektura e impiantit do të karakterizohet nga një strukturë betoni në formë X, hyrje në formë diamanti dhe një çati me dy kthesa, e projektuar për t’i dhënë stadiumit një identitet të veçantë vizual. Çatia do të integrojë panele fotovoltaike, ndërsa projekti parashikon zgjidhje për optimizimin akustik dhe përmirësimin e efikasitetit energjetik. Stadiumi do të ketë dy unaza tribunash që rrethojnë fushën në 360 gradë. Tribunat do të jenë të pjerrëta deri në 37 gradë, me synimin për t’i afruar tifozët me aksionin dhe për të krijuar një atmosferë sa më intensive gjatë ndeshjeve.
Projekti parashikon gjithashtu përmirësimin e aksesueshmërisë, zona moderne mikpritjeje dhe kategori të ndryshme ulësesh, nga hapësirat premium deri te sektorët popullorë, në mënyrë që stadiumi të mirëpresë tifozë të të gjitha brezave.
Stadiumi nuk do të jetë vetëm shtëpia e Milanit dhe Interit, por edhe qendra e një projekti më të gjerë të rigjenerimit urban, që përfshin një sipërfaqe prej 281,000 metrash katrorë.
Zona përreth do të transformohet në një hapësirë të gjallë gjatë gjithë vitit, me ambiente publike, hapësira të gjelbra, zona argëtimi dhe tregtare. Synimi është që kompleksi të shërbejë si destinacion për banorët dhe vizitorët edhe jashtë ditëve të ndeshjeve, duke ndërthurur sportin, kulturën dhe argëtimin. Zhvillimi do të përfshijë gjithashtu masa për qëndrueshmërinë mjedisore, mes tyre ventilimin natyror dhe prodhimin e energjisë nga panelet fotovoltaike.
Prezantimi shënon një tjetër hap drejt realizimit të projektit, pas marrëveshjes së arritur në vitin 2025 mes dy klubeve dhe Bashkisë së Milanos, që hodhi themelet për transformimin e zonës së San Siros. Fazat e mëtejshme do të përfshijnë zhvillimin e projektimit dhe marrjen e autorizimeve të nevojshme. Synimi është që ndërtimi të nisë në vitin 2028 dhe ndeshja e parë të luhet gjatë sezonit 2031/32, nëse përmbushen të gjitha kushtet dhe procedurat përkatëse. Për të dy klubet, stadiumi i ri përfaqëson një investim afatgjatë në të ardhmen sportive dhe ekonomike, si dhe një shtëpi të re për brezat e ardhshëm të tifozëve.
Gjatë prezantimit, David Manica dhe Lord Norman Foster theksuan se projekti i ri synon të ruajë shpirtin e stadiumit historik, pavarësisht ndryshimit të arkitekturës. “Do të jetë një San Siro që do të jetë edhe më shumë San Siro se më parë”, u shpreh Manica, duke nënvizuar rëndësinë e atmosferës dhe identitetit që e kanë bërë impiantin një simbol të futbollit italian.
Nga ana e tij, Foster vuri në dukje se Milano ka ndryshuar shumë gjatë 100 viteve të fundit, por simbolet e saj historike, si Katedralja e Milanos dhe La Scala, kanë ruajtur identitetin e tyre. Arkitekti shprehu bindjen se edhe stadiumi i ri do të bëhet një prej ndërtesave më ikonike të qytetit, duke ndërthurur traditën me arkitekturën bashkëkohore.
Top Channel