Edhe Kombëtarja shqiptare e 19 vjeçarëve ka nisur që prej ditës së sotme grumbullimin, në kuadër të dy ndeshjeve miqësore që do të zhvillojnë ndaj Izraelit në datat 3 dhe 5 shtator në Tiranë. Trajneri i ekipit, Armando Cungu ka zhvilluar disa seleksionime, grumbullime e ndeshje miqësore, kryesisht me lojtarë të kampionatit vendas që nga muaji janar kur mori drejtimin e skuadrës kuqezi.
Trajneri i ekipit, Armando Cungu ka dalë ditën e sotme në një konferencë për mediat, ku ka folur në lidhje me lojtarët e grumbulluar për këto dy sfida si dhe objektivat për këto ndeshje, ku shprehet se do t’i shërbejnë stafit kuqezi për të kolauduar ekipin si dhe për të parë elemente të reja që mund të jetë pjesë e listës që do të përfaqësojë Shqipërinë në kualifikueset e Kampionatit Europian 2022, me kuqezinjtë që janë shortuar në Grupin 7 së bashku me Francën, Serbinë dhe Maqedoninë e Veriut me ndeshjet që do të luhen në Shqipëri në datat, 10, 13 dhe 16 nëntor.
Cungu është shprehur se ka pasur mundësi t’i shohë lojtarët, pas disa seleksionimeve dhe miqësoreve të zhvilluara si dhe theksoi se objektivi për këto dy ndeshje është të forcohet më shumë ekipi dhe të shihen elementet e reja. “Prej kohësh kemi zhvilluar seleksionime me lojtarë të kampionatit shqiptar, edhe për shkak të pandemisë, por në miqësoret e fundit, me Kosovën dhe me Italinë, patëm mundësi për të parë edhe lojtarë që aderojnë në klube jashtë Shqipërisë, çka na krijoi një ide më të madhe dhe një mundësi për ta forcuar grupin.
Në vazhdën e kësaj janë edhe dy miqësoret ndaj Izraelit, me datë 3 dhe 5, në Tiranë. Gjithmonë vlejnë për të kolauduar ekipin, për të forcuar ekipin dhe pse jo për të vazhduar për të parë ndonjë element i cili mund të jetë i aftë dhe për të forcuar grupin dhe për të bërë një Kombëtare kompetitive”.
Gjithashtu, trajneri kuqezi komentoi edhe ndeshjen që 19 vjeçarët zhvilluan në muajin gusht kundër një rivali si Italia, ku tha se kuqezinjtë testuan nivelin real. “Ndeshja me Italinë ishte një ndeshje e rëndësishme. Nuk është pak, është nder vlerësim i madh të luash me emra të mëdhenj të shkollës së futbollit botëror siç është edhe Italia. Nuk ishte vetëm për mua, por ishte një kënaqësi e madhe edhe për djemtë, por njëkohësisht edhe për të parë edhe forcën tonë, nivelin tonë kundër këtyre kundërshtarëve kaq të fortë sepse e dimë që edhe në grup kemi lojtarë si Franca apo Serbia, të cilët kanë vlerë dhe kanë treguar historikisht në arenën ndërkombëtare. Në këtë aspect, kjo ndeshje na vlejti dhe unë isha shumë i kënaqur me djemtë, jo vetëm për ndeshjen por edhe gjatë grumbullimit një javor.
U stërvitën jashtëzakonisht mirë, gjë të cilën e reflektuan me atë seriozitet, me atë ritëm e dëshirë edhe në lojë. Pavarësisht rezultatit, që shumë kollaj mund të ishte edhe barazim, për mundësitë që na u dhanë dhe për rastet e krijuara, por në fund të fundit nuk na kënaq rezultati, nuk duhet të kënaqemi, edhe pse humbëm kundër një Italie, që është një shkollë e madhe futbolli. Por, krahas krijimit të një grupi cilësor, që objektivi kryesor është për të furnizuar Kombëtaren me talente e futbollistë, ne duhet të kërkojmë të kemi edhe rezultat”.
Në lidhje me listën e lojtarëve të grumbulluar për këto dy ndeshje, Cungu u shpreh se është një përzierje me lojtarë që janë pjesë e kampionatit vendas dhe atij të huaj, si dhe ka elementë të rinj, që vijnë për herë të parë në Kombëtare. “Situata ka qenë e tillë që jemi fokusuar për 5 muaj vetëm te kampionati shqiptar sepse nuk kishim mundësi të ftonim lojtarë, por as të vinin. E gjithsesi në dy ndeshjet ndaj Kosovës dhe Italisë, patëm mundësi të shikonim lojtarë, të cilët kanë ardhur nga kampionatet e tjera dhe individë të caktuar tashmë janë pjesë e këtij grupi kryesor, por gjithsesi kjo ndeshje do të ketë edhe lojtarë që kanë ardhur rishtaz, apo edhe të ardhur të rinj, të paktën 2-3 elementë nga kampionate të ndryshme në mënyrë që të bëjmë një grup sa më cilësor.
Pak a shumë, lista është e gërshetuar me lojtarë të kampionatit shqiptar dhe të huaj. Fokusi im ka qenë te kampionati shqiptar dhe nuk duhet ta anashkaloj, pasi nuk e shoh kampionatin e huaj si shpëtim. Edhe këtu ka lojtarë që kanë kualitete të mira, kanë mundësi për t’u rritur. Është shumë e rëndësishme për ne që t’i japim besim këtyre djemve dhe deri në këto ndeshje që kemi bërë, shihet gërshetimi i lojtarëve me njëri-tjetrin”.
E megjithatë, tekniku shqiptar shprehet se kjo nuk është lista përfundimtare, pasi ende nuk është mbyllur faza e vëzhgimit të elementëve që vijnë nga jashtë vendit. “Nuk mund të them se kam një listë përfundimtare, sepse duhet të jem i ndërgjegjshëm, pasi siç e theksova, nga situata e krijuar nga pandemia, jo vetëm për ne, unë nuk mund të pretendoj se kam pasur mundësinë për të parë çdo individ, flas për ata që luajnë jashtë, pasi lojtarët e kampionatit shqiptar kemi bërë disa seleksionime dhe kemi arritur në konkluzione, duke formuar le të themi, një “ekip kombëtar” brenda territorit shqiptar dhe tashmë jemi zgjeruar duke parë edhe lojtarë që vijnë nga jashtë Shqipërisë.
Unë nuk mund të pretendoj se kam parë, apo t’i kem dhënë mundësinë çdo lojtari për t’i parë. Por me këto mundësi që na janë dhënë, kemi përzgjedhur disa lojtarë të cilët mendoj që do të jenë pjesë e grupit për kualifikueset e Kampionatit Europian, sikurse do të shikojmë edhe në këto ndeshje me Izraelin, ku kemi 3-4 individë që kanë ardhur të rinj”.
Top Channel