Pas golit të parë sezonal me Hearts, Sabah Kerjota ka hyrë në radarin e Kombëtares. Trajneri i kuqezinjve, Rolando Maran, ishte i pranishëm në ndeshjen e fundit të Hearts ndaj St Johnstone, ku ndoqi nga afër paraqitjen e futbollistit nga Shkodra, i dalë nga akademia e Vllaznisë.

Kerjota ka fituar gjithnjë e më shumë hapësira nën drejtimin e trajnerit Wouter Vankenc tek Hearts. Ai ka startuar në 4 ndeshje, ndërsa përveç golit të shënuar së fundmi, ka regjistruar edhe 3 asiste.

Paraqitjet e tij të fundit mund t’i japin mundësinë Sabah Kerjotës për të marrë një ftesë nga Kombëtarja shqiptare, teksa trajneri Maran duket se po e monitoron nga afër situatën e tij.

Kerjota është një emër jo shumë i njohur në opinionin sportiv në Shqipëri, pasi është larguar vetëm 16 vjeç nga Shqipëria.

Pas një pushimi, ai nisi aktivitetin e tij në Itali me disa klube të vogla përtej Adriatikut, teksa në vitin 2025 ai u ble nga skocezët e Hearts për 150 mijë euro.

Maran duket se e ka pikasur dhe kërkon ta bëjë pjesë të kombëtares. Roli i tij si sulmues i djathtë dhe fakti që luan me këmbën e majtë janë favor i madh, pasi Shqipëria në vitet e fundit ka pasur vetëm Jasir Asanin me këto karakteristika.

Ky rol konsiderohet si pikë e dobët në Kombëtaren tonë, pasi opsionet mungojnë. Kerjota mund të provohet në këtë rol në ndeshjet e Nations League, një kompeticion që do të shërbejë si provë para eliminatoreve të Europianit.

Top Channel