Me këmbë e me duar këndonte pak vite më parë Jovanotti, me këmbë përveçse me duar “këndon” edhe Thomas Strakosha tani.

Kështu e nis “Gazzetta dello Sport” shkrimin special kushtuar portierit të Kombëtares shqiptare të futbollit, si dhe mbrojtësin ekstrem të ekipit të Lacios. Sigurisht bëhet fjalë për një krahasim mes temave dhe fushave të ndryshme.

Portieri i Lacios, veç mjeteve të zakonshme që karakterizojnë lojën e një portieri (duart) po rezulton shpesh vendimtar edhe në lojën me këmbë. Nga Bergamo, të dielën e kaluar, vijnë shembujt e fundit ilustrues.

Ishin pikërisht dy pritje në kufijtë e mrekullisë, e para përballë Cristantes, ndërsa e dyta ndaj Papu Gomezit, që të dyja me këmbë e jo me duar.

Të dyja këto ndërhyrje rezultuan vendimtare sa i përket rezultatit: në rastin e parë, futbollisti shqiptar evitoi që Atalanta të shënonte golin e avantazhit për 3-0, një rezultat që do ta bënte të pamundur për Lacion të përmbyste shifrat. Ndërsa në rastin e dytë bëri një pritje edhe më vendimtare, sepse bergamaskët mund të vulosnin shifrat 4-2 kur kishin mbetur më pak se 15 minuta nga fundi i takimit.

Mrekulli që nuk vijnë si një “vetëtimë në qiell të hapur”… Gjithnjë me këmbë, Strakosha neutralizonte një rast të artë për gol nga Cuadrado në minutat e para të ndeshjes së Superkupës së Italisë, përballë Juventusit, gushtin e kaluar. E nëse do ta pësonin atë, rezultati mund të kishte një tjetër përfundim nga ai që dimë të gjithë.

Por ka edhe mrekulli me duart e tij, që sigurisht mbeten më të shumta në numër. Tri herë ndaj Dzekos në derbin e pranverës së këtij viti e kthyern Strakoshën në idhullin e tifozëve lacialë. Por atë më të rëndësishmen (deri më sot) e kishte rezervuar në “Juventus Stadium”, tetorin e shkuar: penalltinë që i priti Paulo Dybalasë në kohën shtesë, që i dhuroi Lacios një fitore historike. Megjithatë, pritjet me duar futen në atë që konsiderohet si “repertor i zakonshëm”, ndërsa ato me këmbë përfshihen në atë që ndryshe quhet si “vlerë e shtuar”, karakteristika këto që po tentohen t’u injektohen thuajse të gjithë portierëve modernë. E Strakosha, padyshim që nga kjo pikëpamje është një portier modern.

Ndryshe nga Thomas, babai i tij Foto Strakosha, një nga legjendat e portës kuqezi të viteve ’90-2000, nuk ishte i tillë. Foto, si të gjithë portierët e epokës së tij, këmbët e shfrytëzonte pak. A mund të konsiderohet evolucion “njerëzor”? Ndoshta me nota humori, por është një evolucion i përcaktuar nga metodat e reja stërvitore, që në rastin e Lacios ushtrohen nga përgatitësi i portierëve, Adalberto Grigioni.

Top Channel