Ndeshja e dytë e Kupës së Botës 2026 mes Koresë së Jugut dhe Çekisë (2-1) është zhvilluar mes polemikash, pasi në stadiumin e Guadalajara u vunë re zona të mëdha me vende bosh, duke rikthyer debatin për çmimet e larta të biletave dhe menaxhimin e turneut nga FIFA.

Pavarësisht se organizatorët raportuan një pjesëmarrje prej 44,985 tifozësh, vetëm 679 më pak se kapaciteti i stadiumit, pamjet televizive dhe reagimet në rrjetet sociale treguan një realitet tjetër, me shumë sektorë të tribunave që nuk ishin të mbushur.

Tifozët kanë shpërthyer në kritika ndaj FIFA, duke e akuzuar për strategji të gabuara të çmimeve të biletave dhe menaxhim të dobët të shitjeve. Sipas raportimeve, mijëra bileta kanë mbetur të pashitura, ndërsa çmimet e rishitjes për disa ndeshje janë ulur ndjeshëm në përpjekje të fundit për të mbushur stadiumet.

Një hetim i medias britanike The Sun zbuloi se në disa stadiume janë shitur më pak se gjysma e biletave për shkak të çmimeve të larta, ndërsa rreth 180,000 bileta kanë qenë ende të listuara në platformat zyrtare të rishitjes në prag të turneut.

Situata ka shkaktuar edhe reagime politike, me autoritetet në Nju Jork, Nju Xhersi dhe Kaliforni që kanë nisur veprime ligjore kundër FIFA-s, ndërsa çështja është diskutuar edhe në Kongresin amerikan.

Në rrjetet sociale, tifozët kanë shprehur zhgënjim për pamjen e stadiumeve gjysmë bosh, duke e quajtur situatën “të paprecedentë” për një Kupë Bote dhe duke fajësuar rritjen e çmimeve të biletave për mungesën e interesit.

Në fushë, megjithatë, ndeshja solli emocione. Çekia kaloi e para në avantazh me golin e Ladislav Krejci, por Koreja e Jugut përmbysi rezultatin me golat e Hëang In-beom dhe Oh Hyeon-gyu, duke marrë fitoren e parë në grup.

Turneu vazhdon, por debati për aksesueshmërinë e biletave dhe mbushjen e stadiumeve pritet të mbetet një nga temat kryesore të Kupës së Botës 2026.

Top Channel