“Nëse bota do të ishte kaq e ndjeshme, do kishte folur për Rrjollin”, Rama: Nuk përdoren shqiptarët si “mish për top” kundër Trumpit
Ish-fituesi i Topit të Artë, Kaká, ka bërë një reflektim të sinqertë për periudhën e tij te Real Madrid, duke pranuar se aventura e tij në “Santiago Bernabéu” nuk përmbushi pritshmëritë që shoqëruan transferimin e tij nga AC Milan në vitin 2009.
Në një bisedë me ish-mbrojtësin anglez Rio Ferdinand, braziliani tha me autokritikë se emri i tij renditet shpesh mes transferimeve më zhgënjyese në historinë e klubit madrilen.
“Erdha nga Milani si lojtari më i mirë në botë. Nëse sot kërkon transferimet më të dobëta të Real Madridit, aty do të jem unë bashkë me Hazardin”, deklaroi Kaká.
Sipas tij, problemet kryesore ishin dëmtimet e shpeshta dhe konkurrenca e fortë në skuadër gjatë kohës së trajnerit José Mourinho.
“Pata shumë dëmtime dhe më pas Mourinho preferonte lojtarë të tjerë si Özil, Di María, Benzema dhe Cristiano Ronaldo. Të gjithë luftonim për pak vende në formacion dhe ai zgjodhi lojtarët që mendonte se ishin më të përshtatshëm”, tha braziliani.
Kaká tregoi gjithashtu se gjatë asaj periudhe kaloi një krizë identiteti, duke pyetur veten nëse ishte ende lojtari më i mirë në botë apo një nga transferimet më të dështuara të klubit. Ai theksoi se besimi fetar e ndihmoi të përballonte momentet e vështira.
“Nuk isha as më i miri në botë dhe as një nga transferimet më të këqija. Identitetin tim e gjeta te besimi. Zoti ishte me mua si kur fitoja, ashtu edhe kur gjërat nuk shkonin mirë”, u shpreh ai.
Pavarësisht vështirësive, Kaká ruan kujtime pozitive nga koha te Real Madridi dhe falënderoi presidentin Florentino Pérez për mbështetjen që i dha edhe në momentin e largimit.
“Kur u largova, Florentino më tha se ndonëse gjërat nuk shkuan siç prisnim, ishte krenar që unë luajta për Real Madridin. Më vlerësoi për profesionalizmin dhe respektin që tregova ndaj klubit”, zbuloi ish-mesfushori.
Gjatë intervistës, Kaká foli edhe për bashkëlojtarët e tij më të mirë. Ai e cilësoi Ronaldo Nazário si futbollistin më të talentuar me të cilin ka luajtur ndonjëherë, ndërsa vlerësoi shumë edhe Cristiano Ronaldo për profesionalizmin dhe etjen e tij të pandalshme për të thyer rekorde.
Braziliani komentoi edhe talentin e ri spanjoll Lamine Yamal, duke e krahasuar stilin e tij të lojës me atë të Neymar në kulmin e karrierës.
“Lamine më kujton Neymarin. Është një nga ata lojtarë që të bëjnë të ulesh para televizorit vetëm për të parë se çfarë magjie mund të krijojnë në fushë”, përfundoi Kaká.
Top Channel