Maroku, Hakimi para ndeshjes me Brazilin: Në një Botëror nuk ka favoritë, i gjithë vendi na mbështet

12/06/2026 23:23

Achraf Hakimi është futbollisti më i rëndësishëm i Marokut që do të nisë aventurën e tij në Botëror me sfidën ndaj Brazilit. Mbrojtësi i Paris Saint Germainit e di shumë mirë se si është të luash ndeshje të rëndësishme dhe është futbollisti që ka fituar më shumë trofe në kontinentin afrikan dhe ai që flet herë pas herë për forcën e popullit maroken.

‘E gjithë bota i njeh kualitetet e futbollistëve të Brazilit. Vinicius dhe pjesa tjetër e futbollistëve kanë një nivel shumë të lartë-tha Hakimi në një konferencë për shtyp-kemi besim se do të bëjmë një ndeshje të madhe. I dimë kualitetet që kanë, por ne kemi mbështetjen e të gjithë Marokut. Në një Kupë Bote nuk ka favoritë, do të jenë detajet e vogla ato që do të vendosin. Në Katar askush nuk e besonte se do të shkonim aq larg’.

Achraf Hakimi do të ketë si kundërshtar, shokun e tij të skuadrës te Paris Sainit Germaini, Marquinhos.

‘Kam shumë respekt për të, të dy duam të fitojmë,  le të fitojë më i miri-shtoi Hakimi-do të tentojmë të bëjmë më të mirën për të gjithë Marokun. Ndjej shumë krenari për gjithçka kemi arritur me Marokun, kam besim se do të kemi një mbështetje masive nga i gjithë vendi, e ndjejmë këtë mbështetje edhe në hotel. Jemi një popull krenar’.

Në fund, Hakimi përmendi edhe Neymar duke shprehur se shpreson që ai të jetë në fushën e lojës.

‘Neymar? Është një prej futbollistëve më të mirë të botës dhe unë do të preferoja që të luante. Do të jetë Botërori i tij i fundit dhe unë dua të luaj kundër më të mirëve-tha Hakimi

Top Channel