Duket se gjithçka u përfol në Monza pritet të bëhet realitet. Ferrari do të largojë Kimi Raikkonenin.

Sipas të përditshmes italiane “La Gazzetta dello Sport”, drejtuesit e “kokëkuqes” italiane ia komunikuan finlandezit vendimin e tyre pikërisht përpara Çmimit të Madh të Italisë, gjë që shpjegon edhe sjelljen e Raikkonenit në pistë, pasi nuk e ndihmoi shumë Sebastian Vettelin gjatë garës.

Gjithnjë sipas “La Gazetta dello Sport”, Ferrari ka vendosur të zëvendësojë Raikkonenin me të riun Charles Leclerc, pilot i formuar në Akademinë e skuderisë italiane që garon me Sauber Alfa Romeo, i cili ka nënshkruar një kontratë dyvjeçare. Ai që mungon në këtë histori është vetëm zyrtarizimi i këtij lajmi.

Në fakt, zërat për largimin e Kimi Raikkonenit nga Ferrari, për t’u zëvendësuar nga Leclerc, po qarkullonin prej kohësh. Për pilotin 20-vjeçar nga Monako, që u kërkua me forcë edhe nga Sergio Marchionne i ndarë nga jeta pak kohë më parë, kalimi te Ferrari është një hap i madh në karrierë.

Ndërsa për Raikkonenin, paraqitjet e mira në garat e fundit të Formulës 1 nuk i shërbyen për të siguruar qëndrimin te skuderia italiane edhe sezonin e ardhshëm.

Top Channel