Gola, dramë dhe rezultate surprizë, Juventusi fiton në fund ndërsa Milani dhuron spektakël
Komisioni i Disiplinës dhe Etikës në FSHF ka publikuar vendimet e datës 15 tetor 2026, ku vëmendjen kryesore e marrin masat ndaj Partizanit dhe Tiranës pas derbit të kryeqytetit.
Të dy klubet janë dënuar me nga 100 mijë lekë gjobë për sjelljen e tifozëve gjatë ndeshjes. Sipas vendimit të Komisionit, tifozët e Partizanit kanë ndezur flakadanë dhe mjete të tjera piroteknike, si dhe kanë përdorur kore fyese ndaj ekipit dhe tifozerisë kundërshtare. Nga ana tjetër, Tirana është ndëshkuar për hedhjen e sendeve në fushën e lojës dhe përdorimin e koreve fyese ndaj kundërshtarëve.
Por masat financiare nuk përfundojnë me gjobat. Të dy klubet janë urdhëruar gjithashtu të dëmshpërblejnë dëmet e shkaktuara në stadiumin “Air Albania”, sipas aktkonstatimit përkatës, brenda 15 ditëve.
Dinamo gjobitet për vonesat, Boci pezullohet për dy ndeshje
Në vendimet e tjera, FC Dinamo City është dënuar me 50 mijë lekë gjobë për vonesat e përsëritura në fillimin e ndeshjes, në kundërshtim me orarin zyrtar dhe detyrimet e protokollit.
Ndërkohë, lojtari i Teutës, Muco Boci, është pezulluar për dy ndeshje për lojë të rëndë ndaj kundërshtarëve.
Me nga 50 mijë lekë gjobë janë dënuar edhe FC Besa, për mosmarrjen e masave të nevojshme për sigurinë dhe mbarëvajtjen e ndeshjes, si dhe KF Besëlidhja, për hedhjen e sendeve në fushë, duke rrezikuar sigurinë e lojtarëve dhe zyrtarëve kundërshtarë. Në të dy rastet, gjoba zbatohet në masën 50%, në përputhje me dispozitat përkatëse të Kodit të Disiplinës dhe Etikës.
Braktisje ndeshjesh dhe humbje në tavolinë në futbollin e moshave
Një pjesë e konsiderueshme e vendimeve lidhet me futbollin e moshave, ku disa ekipe janë ndëshkuar për braktisjen e ndeshjeve të vlefshme të aktiviteteve rajonale në Tiranë. Mes tyre janë KSP Junior A U-9, Kamza Sport D U-11, KF Burreli U-17, Don Bosko U-15, Astiri U-17, KF Korabi U-17, si dhe disa ekipe të moshave të Dinamos.
Për këto raste, Komisioni ka vendosur humbjen e ndeshjeve në tavolinë me rezultatin 3-0 dhe gjoba të reduktuara sipas nenit 76 të KDE. Në disa raste, përgjegjësia për braktisjen e ndeshjes i është atribuar mospërmbushjes së detyrimeve nga klubet përkatëse.
Sa u përket masave individuale në futbollin e moshave, Daniel Hoxha i FC Drita U-15 është pezulluar për dy ndeshje për lojë të rëndë, ndërsa Orgito Metaj i AF Dajti U-16 është dënuar me katër ndeshje pezullim për sjellje josportive ndaj zyrtarëve të ndeshjes.
Vendimet e Komisionit të Disiplinës dhe Etikës mund të apelohen brenda tri ditëve pranë Komisionit të Apelit.
Top Channel