Një mbrëmje që duhej të ishte e veçantë për Antony-n përfundoi me një lajm tronditës jashtë fushës së lojës.

Sulmuesi brazilian, i cili aktivizohej me Betisin në ndeshjen e Champions League kundër Portos, zbuloi se gjatë kohës që ishte në fushë, shtëpia e tij ishte grabitur.

Lajmin e bëri të ditur vetë futbollisti përmes një reagimi në rrjetet sociale, ku shprehu zemërimin dhe zhgënjimin për atë që kishte ndodhur, duke theksuar se shqetësimi i tij më i madh nuk lidhej vetëm me humbjet materiale, por edhe me pasigurinë që ndien familja e tij. “Sot vij të ndaj një situatë shumë të trishtueshme dhe revoltuese. Një natë që kishte gjithçka për të qenë e mrekullueshme, përfundoi me indinjatë dhe zhgënjim. Më kanë grabitur shtëpinë!”, shkroi Antony.

Braziliani theksoi se ajo që e revolton më shumë është ndjesia e pasigurisë në vendin ku çdo njeri duhet të ndihet i mbrojtur, veçanërisht kur bëhet fjalë për familjen e tij. “Por, mbi të gjitha, një gjë bëhet edhe më e qartë për mua: nuk ka asnjë të mirë materiale në botë që të vlejë më shumë se jeta dhe mirëqenia e familjes sime”, përfundoi futbollisti.

Ngjarja i ka lënë një shije të hidhur sulmuesit brazilian, i cili e ndau publikisht përvojën e tij, duke vënë në plan të parë sigurinë e njerëzve të tij të afërt, përtej çdo humbjeje materiale.

Top Channel