Carlos Valderrama ka surprizuar botën e futbollit me një ndryshim drastik në pamje. Legjenda kolumbiane, e njohur në të gjithë botën për flokët e saj voluminozë biondë, ka vendosur t’i presë ato pas më shumë se gjysmë shekulli.

Ish-mesfushori 65-vjeçar publikoi në rrjetet sociale një video ku shfaqet bashkë me bashkëshorten e tij, Elvira Redondo, e cila merr gërshërët dhe i rruan plotësisht kokën. “Populli im! Sot është dita”, shkroi Valderrama, pa dhënë shpjegime të mëtejshme për këtë vendim të papritur.

Ndryshimi i imazhit shkaktoi habi të madhe te ndjekësit, aq sa shumë prej tyre dyshuan se videoja mund të ishte e rreme ose e krijuar me inteligjencë artificiale.

Valderrama, i njohur me nofkën “El Pibe”, ishte një nga figurat më ikonike të futbollit kolumbian të viteve ’90, së bashku me Faustino Asprillan. Flokët e tij kaçurrela ishin kthyer në një simbol të identitetit të tij sportiv.

Madje, përpara Botërorit të vitit 1994, ai kishte refuzuar një ofertë prej 2 milionë dollarësh për t’i prerë flokët. Këtë herë, megjithatë, duket se vendosi të bënte ndryshimin që për vite me radhë dukej i pamundur.

Mes reagimeve të shumta ishte edhe ai i ish-portierit kolumbian René Higuita, i cili e përgëzoi për pamjen e re: “Të shkon, o burrë!”

Top Channel