Rrogozhinasit luajnë sot një ndeshje historike në fazën e ligës së Conference League, ndërsa në Elbasan pritet të jenë edhe rreth 80 tifozë ultras nga Danimarka.

Egnatia përgatitet të shkruajë historinë në Conference League, por vëmendja para sfidës me Midtjyllandin nuk është vetëm te ajo që do të ndodhë në fushë. Interes të veçantë paraqet edhe situata e biletave, si dhe prania e tifozëve që do të udhëtojnë nga Danimarka për të mbështetur skuadrën e tyre.

Deri më tani janë shitur rreth 2 mijë bileta për këtë takim, që do të luhet sot në orën 18:45 në stadiumin “Elbasan Arena”. Megjithatë, mbetet për t’u parë se sa prej tyre do të përkthehen në tifozë të pranishëm në shkallët e stadiumit, pasi ekziston pasiguri për numrin përfundimtar të spektatorëve.

Një detaj që i jep ngjyrë të veçantë kësaj përballjeje është edhe mbërritja e rreth 80 tifozëve ultras nga Danimarka. Ata pritet të jenë në mbështetje të Midtjyllandit, duke sjellë atmosferën karakteristike të tifozerive nordike në një mbrëmje të rëndësishme europiane për futbollin shqiptar. Ndeshja ishte planifikuar fillimisht të zhvillohej në “Arenën Kombëtare” në Tiranë, por situata e protestave në kryeqytet solli ndryshimin e stadiumit. Për të mos rrezikuar zhvillimin e takimit sipas planit të UEFA-s, “Elbasan Arena” u përcaktua si zgjidhja emergjente për këtë sfidë europiane.

Kështu, Egnatia do të kërkojë të shfrytëzojë mundësinë për të bërë një paraqitje sa më të mirë në këtë etapë historike, ndërsa mbetet për t’u parë se çfarë atmosfere do të krijohet në Elbasan dhe nëse numri i tifozëve në stadium do të jetë në nivelin e pritshmërive.

Top Channel