Trabzonspor nis sot aventurën në Conference League për sezonin 2026-2027, me një transfertë ndaj KuPS, në Finlandë. Në prag të kësaj sfide, vëmendjen e ka tërhequr edhe Ernest Muçi, i cili duket se është kthyer në një nga lojtarët më të dashur për tifozët turq.

Sipas mediave turke, sulmuesi i Kombëtares shqiptare ndodhej në aeroportin e Trabzonit, gati për t’u nisur me skuadrën drejt Finlandës, kur u rrethua nga një grup tifozësh të Trabzonspor. Muçi u ndal për të ndarë fotografi dhe autografe me ta, duke treguar edhe një herë raportin e veçantë që ka krijuar me mbështetësit e klubit.

Dashuria e tifozëve duket se nuk është e rastësishme. Me paraqitjet dhe golat e tij, sulmuesi shqiptar po fiton gjithnjë e më shumë zemrat e tyre, duke u shndërruar në një nga emrat më të pëlqyer të skuadrës. Tashmë, Muçi synon të vijojë formën pozitive edhe në arenën europiane, ku Trabzonspor do të kërkojë ta nisë me rezultat pozitiv rrugëtimin në Conference League.

Top Channel