Një mbrëmje e mbushur me gola, emocione dhe rezultate interesante në arenën europiane, ku 18 ndeshje prodhuan plot 46 gola.

Protagonistët kryesorë ishin Milani dhe Bayer Leverkuseni, që regjistruan fitore të thella 4-0 në transfertë, ndërsa Benfica u imponua 4-1 ndaj Celtic. Juventusi siguroi tri pikët në sekondat e fundit, pas një përballjeje të luftuar me Celta Vigon.

Milani reagoi pas humbjes në ndeshjen e parë, duke mposhtur Salzburgun me rezultatin e pastër 4-0. Alphadjo Cissè spikati me një tregolësh, ndërsa Ramos vulosi rezultatin në minutën e 72-të. Kuqezinjtë e mbyllën takimin me dhjetë lojtarë, pas një përjashtimi në minutën e 84-t.

Një fitore bindëse mori edhe Bayer Leverkuseni, që triumfoi 4-0 në fushën e Lech Poznań. Benfica, nga ana tjetër, mposhti 4-1 Celtic, duke dhënë një sinjal të fortë pas nisjes së vështirë të edicionit.

Juventusi përjetoi një fund dramatik në transfertën ndaj Celta Vigos. Spanjollët kaluan të parët në avantazh me Hugo Álvarez në minutën e 18-të, por Woltemade barazoi në të 58-ën. Kur ndeshja dukej se po shkonte drejt barazimit, Kolo Muani shënoi në minutën 90+2, duke i dhënë Juventusit fitoren 2-1 dhe pikët e plota pas dy ndeshjeve.

Spektakël pati edhe në përballjen mes Lyonit dhe Crystal Palace, ku francezët fituan 3-2. Bournemouth iu imponua Sturm Grazit me rezultatin 3-0, ndërsa Olympiacos arriti një fitore të rëndësishme 1-0 në transfertën ndaj Marseille. Skuadra franceze vazhdon kështu të zhgënjejë, pas humbjes 1-4 ndaj Beşiktaşit në ndeshjen e parë.

Në ndeshjet e tjera, Beşiktaş fitoi 3-2 ndaj Hoffenheimit, Rennes mposhti OFI Crete 2-1, ndërsa Ferencváros triumfoi me të njëjtin rezultat ndaj Viktoria Plzeň. Dinamo Zagreb siguroi një fitore minimale 1-0 ndaj Anderlecht, ndërsa Jagiellonia mposhti Ararat-Armenian 3-1.

AZ Alkmaar fitoi 2-1 ndaj Hapoel Beer-Sheva, Omonia mori tri pikët në transfertën ndaj Celjes me rezultatin 3-0, ndërsa Sunderland fitoi 2-1 në fushën e Torreense. Union SG dhe Real Sociedad u ndanë në barazim 1-1, rezultat që u përsërit edhe në përballjet Sparta Prague – Lillestrøm dhe NEC Nijmegen – Levski Sofia.

Pas kësaj mbrëmjeje, Juventusi konfirmon një nisje perfekte me gjashtë pikë nga dy ndeshje, ndërsa vëmendjen e tërheqin edhe fitorja bindëse e Milanit dhe ajo e Leverkusenit. Në krahun tjetër, Marseille dhe Anderlecht kanë arsye për shqetësim pas rezultateve të fundit.

Top Channel