Verstappen shpërthen ndaj Formula 1/ Paddock-u është kthyer në kopsht zoologjik, nuk gjen më qetësi

15/10/2026 14:43

Max Verstappen nuk i kursen kritikat ndaj Formula 1.

Katër herë kampioni i botës ka folur hapur për vështirësitë që ka përjetuar në fillim të sezonit 2026, presionin e vazhdueshëm dhe ndryshimin e atmosferës në prapaskenat e garave, duke e krahasuar paddock-un me një kopsht zoologjik.

Në një intervistë për gazetën holandeze “De Telegraaf”, piloti i Red Bullit ka pranuar se muajt e parë të sezonit kanë qenë veçanërisht të vështirë, aq sa kishte menduar edhe mundësinë e largimit nga Formula 1. Ndryshimet teknike dhe performanca e makinës nuk i përmbushën pritshmëritë e tij, por holandezi vendosi të vazhdonte, me shpresën se situata do të përmirësohej.

Verstappen thekson se kritikat e tij nuk synojnë të tërheqin vëmendjen, por të evidentojnë problemet që, sipas tij, po ndikojnë në sportin më të rëndësishëm të garave automobilistike.

“Paddock-u është kthyer në një kopsht zoologjik”

Një nga shqetësimet kryesore të pilotit lidhet me atmosferën në paddock, ku prania e vazhdueshme e të ftuarve, sponsorëve dhe njerëzve që kërkojnë vëmendjen e tij e bën gjithnjë e më të vështirë gjetjen e qetësisë. “Kohët e fundit, paddock-u ngjan vërtet me një kopsht zoologjik. Shpesh nuk mund të shkëmbesh më as dy fjalë me dikë”, shprehet Verstappen.

Piloti shpjegon se gjatë fundjavave të garave përpiqet të qëndrojë kryesisht mes dhomës së tij, garazhit dhe korsisë së bokseve, duke shmangur sa më shumë zhurmën dhe ndërveprimet e vazhdueshme.

“Edhe në ambientet tona të mikpritjes ka shumë të ftuar që duan diçka prej teje. Ata kanë qëllime të mira, por edhe unë duhet të kem mundësi të pushoj, pa u shqetësuar vazhdimisht”, thekson kampioni holandez. Verstappen e kupton se vëmendja është pjesë e pandashme e suksesit, por beson se pilotët duhet të kenë hapësirën e nevojshme për t’u çlodhur dhe për t’u përqendruar te gara.

Red Bulli dhe e ardhmja deri në vitin 2030

Pavarësisht vështirësive dhe dyshimeve të fillimit të sezonit, Verstappen ka konfirmuar se ndihet mirë në ambientin e Red Bullit. Marrëdhënia me njerëzit e skuadrës dhe ndjesia se vlerësohet janë faktorë të rëndësishëm për të.

Kontrata e tij me ekipin austriak shtrihet deri në vitin 2030, por holandezi e ka bërë të qartë se rezultatet sportive nuk janë i vetmi element që ndikon në vendimet për të ardhmen. Edhe mënyra e jetesës dhe koha që mund të kalojë me familjen kanë peshën e tyre. Për Verstappen, sfida nuk është vetëm të ketë një makinë konkurruese dhe të luftojë për fitore, por edhe të gjejë ekuilibrin mes kërkesave të Formula 1 dhe jetës jashtë pistës.

Top Channel