MotoGP/ Valencia, ‘mallkim’ për familjen Marquez, Alex përfundon në spital mbetet jashtë garës
‘Jam pa frymë!” Vetëm shtatë ditë më parë, në Gurgl të Austrisë, Lara Colturi mezi arrinte t’i gjente fjalët pas triumfit të saj të parë në Kupën e Botës, vetëm pak ditë para se të festonte 20-vjetorin e lindjes. Një emocion i jashtëzakonshëm, që shumë shpejt i la vendin ambicieve të reja. Skiatorja nga Piemonte, e cila garon nën flamurin e Shqipërisë dhe tashmë kryeson edhe renditjen e përgjithshme, nuk ka ndërmend të ndalet këtu.
Ajo po punon për të zgjeruar horizontet e saj edhe në disiplinën e super-G-së, studion me kujdes rivalet dhe, mbi të gjitha, përpiqet të mos humbasë kënaqësinë që i fal skijimi. Pa nxituar, por me një bindje gjithnjë e më të fortë: më e mira është ende përpara. Skiatorja 20 vjeçare rrëfehet në një intervistë për Sportëeek duke folur për zgjedhjen e bërë për të përfaqësuar Shqipërinë dhe shumë tema të tjera.
INTERVISTA E PLOTË E LARA COLTURIT
Lara, një fitore dhe dy vende të dyta në tri garat e para të këtij sezoni. Për më tepër, tashmë mban edhe numrin e verdhë, që identifikon kryesuesen e Kupës së Botës.
‘Po, gjithçka duket e pabesueshme, sikur të ishte një ëndërr. Por nuk dua t’i krijoj vetes presion. Në nisje të garës përpiqem ta shijoj momentin dhe të mendoj vetëm për kënaqësinë e të garuarit, pa u shqetësuar për rezultatin apo renditjen. Deri tani kjo mënyrë ka funksionuar dhe do të vazhdoj kështu. Të shohim, pasi sezoni është ende i gjatë’.
Në moshën 20-vjeçare, jeni tashmë një nga sportistet më të ndjekura dhe më të pritura të këtij sporti. A jeni e vetëdijshme për rrugëtimin që keni bërë?
‘Po, sidomos gjatë vitit të fundit kam fituar më shumë besim te vetja, sepse e di që mund të konkurroj rregullisht në nivelin e më të mirave. Kjo do të thotë gjithashtu se jam bërë më kërkuese ndaj vetes. Niveli është jashtëzakonisht i lartë dhe praktikisht nuk ka vend për gabime. Është një sport ku nuk mund të mendosh kurrë se ke arritur gjithçka’.
A jeni ju një sportiste që analizon çdo detaj?
‘Shikoj shumë video, analizoj kohët e regjistruara nga GPS-i dhe përpiqemi të përdorim edhe inteligjencën artificiale për të kuptuar më mirë karakteristikat e skive. Skijimi është një sport shumë i vështirë për t’u analizuar në mënyrë të saktë, sepse ka jashtëzakonisht shumë faktorë: dëborën, temperaturat, kushtet e pistës. Më pëlqen të dëgjoj edhe këndvështrime të tjera, sidomos nga trajnerë që nuk më ndjekin çdo ditë dhe që mund të vërejnë gjëra të ndryshme. Analizoj shumë, por pa e lodhur tepër mendjen’.
Megjithatë, nuk dëshironi të kufizoheni vetëm te slalomi dhe slalomi gjigant. Super-G-ja është sfida e radhës?
‘Po, shpejtësia më ka pëlqyer gjithmonë. Kam fituar titullin e kampiones së botës për të rinj në super-G, edhe pse kanë kaluar tashmë më shumë se tre vjet’.
I keni besuar gjithashtu Johan Clarey. Ishte pikërisht figura që ju mungonte?
‘Më mungonte një figurë e jashtme, më pak e përfshirë emocionalisht sesa prindërit e mi. Ata janë gjithmonë mami dhe babi dhe është krejt normale që ndonjëherë të kenë frikë për mua. Johan mund të më japë besim, të më kujtojë se jam e fortë nga ana teknike dhe se mund të përballoj situata të caktuara. Ai është një pikë e rëndësishme referimi për këtë aventurë të re’.
Kur do ta shohim debutimin tuaj këtë sezon në disiplinat e shpejtësisë?
‘Objektivi është St. Moritz. Nuk dua t’i shtoj vetes stres gjatë udhëtimit në Amerikë, ku kemi tashmë katër gara në program’.
Dhjetë podiume në Kupën e Botës në moshën 20-vjeçare: cili ishte momenti kur kuptuat se mund të konkurronit realisht me më të mirat?
‘Podiumi i parë në Gurgl, në nëntor të vitit 2024, ishte vendimtar. Sapo kisha hyrë në 30-shen më të mirë, kisha numrin 27 dhe pas zbritjes së parë e gjeta veten në vendin e dytë. Në atë moment mendova: mund të garoj në të njëjtin nivel me të tjerat! Në fund dola pas Mikaela Shiffrin, e cila ka qenë gjithmonë një nga idhujt e mi’.
Me rivalet, a ka vend edhe për miqësi?
‘Patjetër. Me Camille Rast dhe Mélanie Meillard kemi një marrëdhënie shumë të mirë. Kur na jepet mundësia, dalim për të pirë një kafe ose për të darkuar së bashku. Ndihem mirë edhe me Emma Aicher, që konsiderohet favorite për fitimin e Kupës së Botës. Është e pabesueshme: ajo garon në katër disiplina, praktikisht në të gjitha garat, dhe ndonjëherë pyes veten se si ia del. Unë mezi ia dal edhe me dy disiplina! Është një vajzë e thjeshtë, e re dhe me shumë karizëm. Kalojmë mirë së bashku dhe, kur kemi mundësi, stërvitemi edhe bashkë’.
Në karrierën tuaj keni tashmë një përvojë olimpike, atë të Milano-Cortina. Ishte një eksperiencë për t’u kujtuar apo një mundësi e humbur?
‘Të dyja bashkë. Ishte një përvojë e mrekullueshme, edhe pse nuk kisha qenë kurrë më parë në Cortina dhe për mua gjithçka ishte e re. Duhet të them se e përjetova në një mënyrë pak a shumë të ngjashme me një garë të Kupës së Botës: përballesha gjithmonë me të njëjtat rivale, me të njëjtat sportiste. Fatkeqësisht, fizikisht nuk isha në gjendjen më të mirë dhe nuk arrita të jepja maksimumin as në slalomin gjigant, as në slalom. Pas zbritjes së parë në slalomin gjigant isha e katërta, por në zbritjen e dytë nisi të ndihej lodhja. Ishte e vështirë, sidomos sepse e ndieja se mund të luftoja për një medalje. Megjithatë, mësova shumë. Do ta ruaj gjithmonë në kujtesë mbërritjen në finish pas zbritjes së parë në slalom, kur kisha numrin një dhe i gjithë publiku po brohoriste për mua. Edhe pse garoja për Shqipërinë, në Itali ndjeva një mbështetje dhe dashuri të jashtëzakonshme’.
A e ndryshoi zgjedhja e Shqipërisë rrjedhën e karrierës suaj sportive?
‘Është e vështirë të dihet se çfarë do të kishte ndodhur nëse do të kisha qëndruar në Itali. Isha 16 vjeçe kur u mor ky vendim dhe u besova prindërve të mi. Pa ta, pa gjithë punën dhe energjinë që kanë investuar, nuk do të isha këtu ku jam sot. Jemi një ekip familjar, me të gjitha vështirësitë që kjo përfshin. Sot jam e lumtur për zgjedhjen që bëmë dhe rrugëtimin që kemi ndërtuar. Në Shqipëri, sportet dimërore ishin praktikisht të panjohura, ndërsa tani interesi për to po rritet gjithnjë e më shumë. Më bën të lumtur fakti që kam kontribuar në promovimin e skijimit në një vend ku shumë njerëz nuk e dinin as se çfarë ishte dëbora’.
Të jesh vajza e Daniela Ceccarellit, kampiones olimpike të super-G-së në vitin 2002, a ka qenë një barrë mbi shpatullat tuaja gjatë rritjes?
‘Gjithmonë kam qenë vajza e Daniela Ceccarellit. Ma thoshin vazhdimisht dhe për mua ishte diçka krejt normale: ajo ishte mamaja ime, por edhe trajnerja ime. Vetëm duke u rritur fillova ta kuptoja vërtet se sa e rëndësishme kishte qenë ajo që kishte arritur. Tani që kam përjetuar edhe vetë një Olimpiadë, e kam rishikuar zbritjen e saj dhe kam kuptuar se sa e jashtëzakonshme ka qenë. Ende e ngacmoj për mbrojtësen e mjekrës në kaskën që përdorte në garat e shpejtësisë! Për vite me radhë më thoshin se do të arrija në Kupën e Botës dhe se do të bëhesha një sportiste shumë e fortë, por gjithmonë jam përpjekur t’i mbaj këmbët në tokë. Tani rolet janë disi përmbysur dhe ka njerëz që e njohin mamin tim si nëna e Larës. Por unë i kujtoj gjithmonë se ajo ka fituar një medalje të artë olimpike: nuk është bërë thjesht mamaja ime!’.
Kimi Antonelli, Sara Curtis dhe Lorenzo Finn kanë lindur në vitin 2006, njësoj si ju. A ndiheni pjesë e një brezi që po ndryshon sportin?
‘Është fantastike të shohësh të rinj të moshës sime që arrijnë gjëra të jashtëzakonshme. Ndoshta viti 2006 është si vera e mirë, një vit prodhim cilësor! Antonelli, që fiton titullin botëror në Formula 1 që në sezonin e tij të dytë, është një shembull i jashtëzakonshëm’
Jeni gjithashtu e apasionuar pas sporteve motorike.
‘Po, këtë vit isha në Spielberg, ndërsa vitin e kaluar në Montecarlo për të ndjekur Formula 1. Më pëlqen shumë edhe MotoGP. E njoh mirë Max Biaggin dhe, sa herë që kam mundësi, shkoj të ndjek nga afër garat’.
Jashtë pistave të skive, jeni një vajzë me shumë interesa.
‘Lexoj jashtëzakonisht shumë, kryesisht romane, libra mbi përgatitjen mendore dhe histori sportistësh si Federica Brignone, Lindsey Vonn dhe Aksel Svindal. Pasi përfundova shkollën e mesme, ndjeva nevojën të gjeja diçka që të më ndihmonte të shkëputesha pak nga skijimi. Nuk dua ta kaloj kohën e lirë shtrirë në krevat, duke parë telefonin. Luaj edhe piano, si autodidakte, por kohët e fundit e kam humbur disi praktikën’.
Një tjetër pasion i juaji është tenisi. A mund të ketë në familje një kampion të ardhshëm?
‘Yuri, vëllai im i vogël, luan shumë mirë dhe ka arritur tashmë një renditje të mirë. Herët a vonë do t’i duhet të zgjedhë mes skive dhe tenisit. Të shohim nëse do të bëhet një Sinner apo një Kristoffersen. Kur kam mundësi, marr raketën dhe luaj disa topa me të, por tani nuk arrij më ta ndjek topin me sy!’
Hapi i radhës mund të jetë universiteti?
‘Kam përfunduar shkollën e mesme në degën e ekonomisë dhe financës dhe po shqyrtoj disa mundësi, mes tyre edhe universitetin LUISS. Kam folur për këtë edhe me Sofia Goggian. Dua të vazhdoj studimet dhe të kem diçka tjetër në jetën time, përveç skijimit. Nëse do të jetë vitin e ardhshëm apo një vit më vonë, këtë do ta shohim’.
Top Channel