Barcelona kërkon vazhdimësinë, Flick paralajmëron lojtarët: Duhet ta tregojmë në çdo ndeshje
Sylvio Mendes Campos Junior apo siç njihet ndryshe thjesht Sylvinho, është në një moment reflektimi. Pas mbylljes së eksperiencës së tij me Kombëtaren shqiptare në muajin maj, trajneri brazilian është i hapur për një rikthim të mundshëm në pankinë.
Por çdo verë ai shkon në Barcelonë ku ende ka lidhje me disa prej ish shokëve të tij të skuadrës. Një prej tyre është Deco që dikur i dha një këshillë që i ndryshoi jetën. ’Sylvio ke bërë xhiron e botës, nëpër Evropë…Pse nuk vjen të jetosh në Porto?’. ‘Dhe unë e bashkëshortja ime u mahnitëm. Është një qytet që të relakson’-tregon Sylvinho që në një intervistë për të përditshmen spanjolle Sport bëri një rrëfim të gjatë për Barcelonën, të kaluarën e tij te kjo skuadër, por edhe aktualitetin e kampionëve të Spanjës
‘Keni folur ndonjëherë për mundësinë e rikthimit te Barcelona?
Me Decon njihemi që kur ishim shumë të rinj, që nga 1993. Si futbollistë kemi pasur një karrierë të mirë, ai më të mirë se unë. Por, jemi shumë miq dhe nuk i ngatërrojmë gjërat; ai ka jetën e tij, unë timen. Darkojmë bashkë, flasim. Në të vërtetë flasim pak për futbollin. Shumë herë na ka ardhur në majë të hundës teksa dëgjojmë të flitet për futboll gjithë ditën. Unë vij pas eksperiencës si trajner i Kombëtares Shqiptare prej 3 vitesh e gjysmë.Tani duhet të pushoj e relaksohem në pritje të hapave të tjerë’.
Çfarë aspektesh të temperamentit të tij e bën Decon një drejtor të mirë sportiv?
‘Ka shumë personalitet, shumë karakter dhe përveç këtyre, ka një jetë në botën e futbollit. Jo të gjithë ne që vijmë nga bota e futbollit dhe që kemi luajtur në një nivel të lartë jemi automatikisht të përgatitur për të qenë trajnerë, drejtorë sportive apo drejtues. Ka një fazë, një etapë që duhet ta përmbushësh. E mbi të gjitha, një trajner apo drejtor sportiv nuk mund të bëjë gjithçka i vetëm. Ka një hierarki; presidentë, drejtues, drejtorë Sportivë dhe trajner. Të gjithë duhet të punojnë në një linje dhe së bashku. Kjo është e rëndësishme dhe ajo që po ndodh tani te Barcelona’.
Blerja e fundit e Barcelonës është Gabriel Jesus, të cilin ti e njeh mirë. Si e sheh te skuadra e Flick?
‘Një mik më dërgoi një mesazh këto ditë dhe më tha: ‘Sylvio, ti dhe Gabriel Jesus jeni të vetmit brazilianë që keni luajtur te Arsenali, Manchester City dhe Barcelona’. Është një futbollist që e njoh nga 2016 apo 2017, kur ishte ne kualifikueset e Botërorit 2018. Në atë kohë unë isha në stafin teknik të Brazilit me Tite. Ishte shumë i ri, një futbollist shpërthyes, me shumë forcë fizike, teknik brenda zonës dhe me driblime. Është një futbollist që ka qenë pjesë e skuadrave të rëndësishme dhe tani vjen te një tjetër skuadër e tillë si Barcelona’.
Si për çudi ai vjen kur Barcelona e ka nisur sezonin pa një një nr.9 klasik, por që po shkon nga goleda në goleadë…
‘Ajo që po shoh në futbollin modern është që skuadrat dhe trajnerët po blejnë futbollistë të një niveli të lartë, por që mund të kryejnë 2 apo 3 funksione në fushë. Një sulmues mund të luajë në krahë dhe të përfundojë si qendër sulmues; një nr.9 mund të përfundojë si sulmues krahu apo sulmues i dytë. Kjo po ndodh gjithnjë e më shpesh. Por jo vetëm në lojën me top. Edhe në lojën pa top, te presingu dhe gjithçka që mund të të bëjë skuadër. Është një futbollist i nivelit të lartë dhe do të merren frytet prej tij gjatë sezonit’.
Të habit të shohësh Raphinhan në atë pozicion?
‘Jo, nuk më habit. dhe besoj se gjithçka ka Raphinha është më shumë se futboll. Është një futbollist me shumë personalitet. po bën shumë mirë, edhe në pjesën mbrojtëse. Shumë herë e harrojmë këtë personalitet; është një futbollist që brenda fushës së lojës ndihet komod me fanellën e Barcelonës me 80 apo 90 mijë persona, në një derbi apo në ndeshjen kundër Realit të Madridit. Luan një ndeshje të madhe, sikur të mos ishte asgjë dhe kjo ka shumë rëndësi për një futbollist’
Në të gjithë botën tërheq vëmendjen pasioni me të cilin konkurron. A ka ndonjë futbollist që e ke parë përpara se ai të hyjë në elitë?
‘Është një histori e gjatë, por do t’jua përmbledh. Në momentin e tij ai po luante në Francë dhe unë, që punoja me kombëtaren, po vëzhgoja futbollistët. Dhe në fund ka lojtarë brazilianë në të gjithë Evropën. Në një moment mora në telefon stafin teknik dhe iu thashë: shikoni kemi këtë lojtarë që ka bërë një hap të rëndësishëm, trajneri kontaktoi me të dhe në fund, pas pak kohësh u grumbullua në kombëtare. Dhe në 2-3 herët e para menduam; hej ky është një super lojtar’.
Tani po shijojmë Lamine dhe gjithnjë shfaqet krahasimi me Messin. Por ai gjithnjë flet për Neymar si pikë referimi. Cilin nga të dy këta lojtarë të kujton ai?
‘Dëshiron të dëgjish përgjigjen time? Je i sigurt? Yamal është Yamal. Nuk ështe as Neymar dhe as Messi. Përveç kësaj, Messi është një kapitull më vete, harrojeni. Kur e shikon lojtarin, sigurisht që mund të të kujtohen të tjerët; një driblim apo gjëra të tilla…por më pas si trajnerë gjykojmë futbollistët për shumë gjëra. Yamal është Yamal, një superlojtar që po fiton shumë duke qenë shumë i ri në moshë dhe për më tepër ka shumë kohë përpara. Do të shohim se çfarë do të ndodhë në 10 vitet e ardhshme’.
Ti i ke përjetuar fillimet e Messit. Ishe mbrojtës i majtë dhe ai e nisi si sulmues i djathtë kështu që të takonte të përballeshe me të gjatë stërvitjeve. E kujton ditën e parë që luajte me të?
‘Nuk kujtoj një ditë specifike. Ne luajtëm së bashku te Barcelona për 5 vjet. Kur them ne, flas për Ronaldinho, Deco, unë…Ishim lojtarë të një brezi tjetër dhe ai ishte shumë i ri. Leo ishte shumë i heshtur, i ndrojtur. Kam shkuar shumë mirë me të. Kushedi, sepse ai ishte më i vogli dhe unë më i madhi, më i vjetri. Shkonim shumë mirë me njëri-tjeterin dhe shiheshim shpesh. Kisha mësuar pak spanjisht me Nelson Vivas te Arsenali. Për këtë arsye shpesh më kanë thënë se kam një spanjishte me pak theks argjentinas. Dhe me Leon kemi qeshur shumë. Por, po, më kujtohen duelet. Sigurisht e vuaja shumë, por kisha diçka në favor; eksperiencën dhe fatin që në stërvitje luanim në një fushë më të vogël. Nëse fusha do të ishte e madhe s’do të kisha çfarë të bëja. Por një një fushë më të vogël mund të luaja me eksperiencë; ngushtoja hapësira, nuk ndërhyja, evitoja që të mos merrte topin’
A të ngacmonin Ronaldinho dhe Deco kur Messi të hapte punë?
‘Jo, në të vërtetë jo. Nuk isha aq naiv, eh’
I bëje ndërhyrje të forta?
‘Jo. Nuk ishte e nevojshme. E rëndësishme ishte që të mos merrte topin. Ngacmimet ishin jashtë fushe. Kur ishim aty duke luajtur me Ronni e Deci duke bërë shaka, edhe unë i ngacmoja nga pak. Më pëlqente të flisja dhe të qeshja me ta. Duhet ta pranojmë, jeta e një futbollisti edhe jashtë fushe është e bukur nëse gjërat shkojnë mirë’
Kanë tërhequr vëmendjen disa deklarata të Bellettit kur tha se Ronaldinho stërvitej shumë dhe fort, sepse kishte famën se bënte të kundërtën…
‘Këtu varet; çfarë është të stërvitesh shumë dhe pak. Ronnie zbriste në fushë dhe ishte një lojtar i fortë, i fuqishëm. Belletti ka të drejtë. Në stërvitje ishte në një orë të caktuar dhe më pas lëshonte një gjuajtje nga 50 m, ushtrime…. Ronnie gjithnjë është stërvitur shumë mirë dhe fort. Është një superfutbollist. Për më tepër pësoi shumë pak dëmtime. Ishte i përgatitur. Kujtoj që kishte edhe një përgatitës fizik që punonte me të dhe stërvitej edhe në shtëpi’.
Në finalen e Ligës së Kampioneve të 2009 në Romë të takoi të ishe titullar sepse mungonin disa mbrojtes. Yaya Toure tregoi se kur Pep pyeti se kush mund të luante në rolin e qendërmbrojtës, ai u vetëofrua dhe më pas pranoi se e kapi frika për disa ditë dhe mezi flinte. Ti si e përjetove atë situatë?
‘Jam shumë më i lehtë dhe më mirë se Yaya Toure. Menaxhimi i stafit teknik me secilin prej lojtarëve është i ndryshëm. Shkuam në atë finale me shumë lojtarë të dëmtuar dhe të sanksionuar. E mësova që do të luaja 10 ditë para. Pep më tha: ‘hej Sylvio, përgatitu për ndeshjen’. Unë isha 35 vjeç dhe e dija që isha shumë i përgatitur, në nivel perfekt. E vetmja që që kujtoj me Pep është që i thashë: ‘trajner më lejo të luaj sa më shumë ndeshje përpara se të shkoj atje’. Dhe ai m’u përgjigj: ‘hej Sylvio nuk do të dëmtohesh, eh?’. Dhe unë isha: beson te unë. Doja të shkoja në finale me ritëm. Sa më shumë luaja, më mirë ndihesha’.
Por Pep Gurardiola nuk ishte i bindur…
‘Kishim fituar La Liga dhe Kupën dhe na mungonte vetëm Champions League për të plotësuar tripletën. Në ndeshjen e fundit të kampionatit, Pep këmbënguli: ‘je i sigurt Sylvio?’. Dhe unë i thashë: ‘trajner, më lër të luaj 45 minuta. Nëse do të jenë 90, perfekt, por më lejo të luaj të paktën 45’. Isha mirë dhe kisha nevojë të luaja. Dhe në fund ndodhi kështu; luajta për 45 minuta. Sigurisht sa më shumë të luash, aq më i madh është rreziku që të dëmtohesh, por për mua ishte e rëndësishme të stërvitesha dhe të luajë mirë për të qenë në ndeshje në 100% të formës. Por gjithçka ishte shumë e lehtë dhe shumë e qetë’.
Dhe për ta m byllur; rastise me një brez fantastik futbollistësh braziliane. Cili është futbollisti që të ka bërë më shumë përshtypje?
‘Kam pasur shumë fat. Ronaldinho, por sigurisht edhe Ronaldo Nazario…. ishte në një nivel çmendurie; si e udhëhiqte topin, si gjuante, si e kalonte portierin. Ishte një nivel shumë i lartë. Janë shumë lojtarë. Nëse më thua se duhet të zgjedh një, të nesërmen të them 15 apo 20 emra. Por e vetmja gjë që mund të them është se nuk ka surpriza. Në këtë nivel nuk ka pasur ndonjë lojtar që ta kem parë e të kem menduar: ‘si ka arritur deri këtu?’. Ka shumë lojtarë shumë të mirë dhe cilësorë, por këta të dy ishin një tjetër nivel. Talenti i tij ishte i jashtëzakonshëm’.
Top Channel