Lajm i mirë për Barcelonën, Raphinha shmang dëmtimin dhe pritet të luajë ndaj Getafes

02/10/2026 16:23

Raphinha pritet të jetë në dispozicion të Barcelonës për ndeshjen ndaj Getafes, të shtunën e 10 tetorit, në orën 18:30, në “Spotify Camp Nou”.

Sulmuesi brazilian iu nënshtrua kontrolleve mjekësore në Ciutat Esportiva Joan Gamper, pas edemës së shfaqur në kofshën e djathtë që e detyroi të largohej nga fusha gjatë miqësores së fituar nga Brazili 4-2 ndaj Australisë të martën. Raphinha kishte shënuar një nga golat e Brazilit nga pika e bardhë.

Rezultatet e ekzaminimeve kanë qenë pozitive dhe nuk kanë evidentuar ndonjë dëmtim. Për këtë arsye, në Barcelonë nuk pritet të publikohet një raport mjekësor për sulmuesin brazilian.

Raphinha mbërriti në qendrën stërvitore të klubit rreth orës 11:00 dhe u largua pak para orës 12:30 me automjetin e tij. Në klub kishte optimizëm që në fillim se shqetësimi nuk ishte serioz, por drejtuesit dhe stafi mjekësor preferuan të prisnin rezultatet e testeve.

Për shkak të shqetësimit fizik, Raphinha nuk do të luajë me Brazilin në miqësoren e së shtunës ndaj Indisë në Kalkuta. Megjithatë, bëhet fjalë për një masë paraprake dhe jo për një dëmtim.

Barcelona do të rikthehet në stërvitje të hënën dhe gjatë javës së ardhshme do të tregohet kujdes maksimal me gjendjen fizike të Raphinhas, veçanërisht për shkak të kalendarit të ngjeshur që e pret skuadrën.

Pas Getafes më 10 tetor, Barcelona do të përballet me Galatasarayn më 13 tetor, Betisin më 17 tetor, Paris Saint-Germain më 20 tetor dhe Real Madridin më 25 tetor.

Katalanasit, të cilët kanë regjistruar një start perfekt në kampionat me 21 pikë nga 21 të mundshme, synojnë të konfirmojnë formën e mirë edhe në përballjet e ardhshme ndaj kundërshtarëve më të fortë.

Top Channel