Kombëtarja U21 në prag të miqësores me Ukrainën, trajneri Bushi: Ndeshje shumë e rëndësishme, do hyjmë në fushë për të fituar

04/10/2026 12:33

Kombëtarja shqiptare pasditen e së hënës do të luajë ndeshjen miqësore me Ukrainën në kuadër të përgatitjeve të Evropianit të 21 vjeçarëve që do të mbahet vitin e ardhshëm me vendin tonë që është një prej vendeve organizatore.

Në prag të kësaj sfide, trajneri Alban Bushi, vlerësoi përgatitjet e skuadrës dhe theksoi rëndësinë e kësaj ndeshjeje për grupin. Tekniku kuqezi u shpreh se ekipi ka pasur kohën e nevojshme për t’u përgatitur për këtë ndeshje.

‘Kemi pasur mjaftueshëm kohë për t’u përgatitur për këtë ndeshje shumë të rëndësishme dhe të fortë për ne, pothuajse një javë. Kemi bërë të gjitha ato se çfarë ne kërkonim’-tha Alban Bushi.

Trajneri i kuqezinjve të vegjël foli edhe për grupin i lojtarëve të grumbulluar, duke veçuar dy prej talenteve të reja, Kullën dhe Huqin, për të cilët shprehet se e kanë surprizuar pozitivisht gjatë seancave stërvitore.

‘Kishim shumë lojtarë të rinj këtë radhë dhe moshë të vogël. Dy prej tyre dua t’i cilësoj si e ardhmja e futbollit shqiptar, siç është Kulla dhe Huqi, sepse më kanë surprizuar në stërvitje. Shpresoj që edhe nesër të kenë minutat e tyre. Patjetër që njëri do të jetë në formacion, kurse tjetri mund të ketë minuta më vonë’-shtoi Alban Bushi.

Përsa i përket Ukrainës, Alban Bushi theksoi se pret një tjetër ndeshje të fortë, pavarësisht faktit se Shqipëria e ka mposhtur këtë kundërshtar në përballjen e mëparshme. Bushi theksoi se rrethanat janë të ndryshme dhe se skuadra duhet të tregojë karakter në fushë.

‘Ukraina është një ekip i fortë. E kemi thënë edhe më parë. Kemi luajtur me ata dhe i kemi mundur këtu, por nesër është një ndeshje krejt tjetër. Jemi në rrethana komplet të tjera’ -tha ai.

Ndërsa përsa i përket objektivit, trajneri i Kombëtares U21 theksoi se skuadra e tij do të futet në fushë vetëm për fitore.

‘Përveç se fitores çdo rezultat tjetër nuk do të na bëjë të ndihemi mirë. Ekipi ynë futet gjithmonë për fitore. Nuk diskutohet, e thashë edhe pak më parë që çdo rezultat tjetër nuk do na bëjë të ndihemi mirë, si barazimi, po ashtu edhe humbja nuk diskutohet fare. Ne kemi një ekip shumë të fortë, kompakt dhe solid. Do e tregojmë nesër që jemi një ekip me karakter dhe që nuk dorëzohemi kurrë. Këtë e kemi bërë në të gjitha ndeshjet që kemi luajtur, por nesër do ta shfaqim akoma më mirë në fushë dhe duam vetëm fitore. Lojtarëve i është transmetuar dhe i kërkohet vetëm fitorja, por gjithmonë të jemi skuadër në ekuilibër dhe gjithmonë ato gjëra që do bëjmë, t’i bëjmë të sakta dhe të bukura. Duam të performojmë mirë, por patjetër rezultati është një pjesë e jona shumë e rëndësishme që duam ta marrim nesër’-deklaroi Alban Bushi.

Top Channel